Shqipëria

Raporti i BB-së: Shqipëria, mangësi të theksuar në mbrojtjen nga zjarret


“Shqipëria ka mangësi të theksuar në shuarjen e zjarreve larg zonave të banuara”.

Ky është përfundimi i nxjerrë nga Banka Botërore dhe Global Facility for Disaster Reduction and Recovery (GFDRR) në një raport diagnostikues për vendin tonë.

Më tej, në raport dilnin në pah problematikat e trajtimit të zjarreve në Shqipëri që në vitin 2020.

Sipas raportit të BB-së, Shqipëria ka vetëm bazën materiale dhe personel për të kontrolluar zjarret e lokalizuara në terren të hapur.

“Ka shumë nevoja për shuarjen e zjarrit në terrenet e pabanuara, duke përfshirë automjete 4×4 dhe pajisje, si kamera termike për të identifikuar dhe vlerësuar zjarret”, cilësohet më tej në raport.

Diagnostikimi gjeti boshllëqe në menaxhimin e katastrofave; sistemin e informacionit (DMIS); gjeomatikës; strehimoreve dhe hapësirave të hapura; kapacitetit të reagimit specifik ndaj rrezikut; shuarjes urbane të zjarrit dhe shpëtimit teknik; strukturave të organizimit të incidentit; trajnimit dhe ndërtimit të njohurive, dhe angazhimit të komunitetit.

Më tej, në raport shkruhet se sistemi zjarrfikës sfidohet nga pajisjet dhe kamionët e zjarrit “pjesërisht të vjetruara”.

“Megjithëse vullnetarizmi ekziston brenda praktikave aktuale të komunitetit”, thuhet në raportin e BB-së, “reaguesit vullnetarë të urgjencës nuk kanë një prani të fortë në sistemin EP&R të Shqipërisë”.

Po ashtu, vijon raporti, “kuadri ligjor u beson kryebashkiakëve krijimin e një ekipi të përhershëm vullnetar zjarrfikësish të trajnuar dhe të pajisur në juridiksionet e tyre”.

Raporti zbulon se zjarrfikësve, në përgjithësi, u mungon personeli dhe pajisjet për t’iu përgjigjur incidenteve më të mëdha dhe më komplekse.

Disa ekipe komunale të shpëtimit nga zjarri nuk kanë pajisje të plota për kërkimin dhe shpëtimin, apo për nxjerrjen e viktimave.

Ndryshimet klimatike

Në raportin e riskut nga ndryshimet klimatike – po të Bankës Botërore – Shqipëria është e cenueshme nga ndikimet e ndryshimit të klimës.

Kjo, për shkak të nevojave të saj infrastrukturore dhe varfërisë në zonat rurale që rrisin cenueshmërinë.

Ndryshimet në klimën e Shqipërisë, veçanërisht frekuenca e ngjarjeve ekstreme të motit dhe ndryshimet e temperaturës, pritet të kenë ndikimet më të rëndësishme në sektorët kryesorë të vendit, ekonominë dhe popullsinë e vendit.

Përmbytjet paraqesin fatkeqësinë natyrore më të rrezikshme për Shqipërinë, pasi vendi është shumë i ekspozuar nga burimet ujore.

Përmbytjet në rrjedhën më të ulët mund të shkaktojnë dëme të mëdha, duke qenë se ato janë më të shpeshta dhe kapin sipërfaqe më të mëdha. Ato formohen nga reshjet e dendura të shiut dhe reshjet me intensitet të lartë, të cilat mbushin tokat me ujë dhe shkaktojnë rrjedhje nga shtrati i lumit.

Të dhënat nga Baza e të Dhënave të Emergjencave tregojnë se vendi është përballur me rreziqe natyrore të ndryshme, përfshirë përmbytjet, rrëshqitjet e tokës, sëmundjet epidemike dhe stuhitë.

Tendencat kryesore

Rreziqet natyrore në Shqipëri, si stuhitë e mëdha, përmbytjet, valët e nxehtësisë dhe zjarret po bëhen më të shpeshta, të paparashikueshme dhe të rënda, për shkak të prirjeve të parashikuara të ndryshimit të klimës.

Temperaturat më të larta dhe rritja e thatësisë mund të çojnë gjithashtu në stres të bagëtive dhe ulje të rendimentit të të korrave.

Kjo mund të rezultojë në humbje të konsiderueshme ekonomike, dëme në tokat bujqësore dhe infrastrukturën, si dhe në viktima në njerëz.

Kombinimi i temperaturave të rritura, periudha më të gjata të thatësisë dhe mbulimi i lartë pyjor i vendit e bëjnë Shqipërinë jashtëzakonisht të prekshme nga zjarret në pyje.

Temperaturat parashikohen të vazhdojnë të rriten në Evropën Juglindore dhe sezonet verore në Shqipëri pritet të përjetojnë shkallët më të mëdha të ngrohjes, me një rritje prej 2.4 gradë Celsius në 3.1 gradë Celsius gjatë qershorit deri në muajin gusht.

Rritja e temperaturave dhe nxehtësia ekstreme gjithashtu paraqesin rreziqe të mëdha shëndetësore për popullatën.

Ndryshimet e parashikuara të temperaturave tregojnë se mbi zonat bregdetare do të ketë më shumë ditë të nxehta dhe valë nxehtësie, çka gjithashtu rrit rreziqet e thatësirës dhe rreziqet më të mëdha të zjarrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore