Lajme

Raportet Kosovë-SHBA dhe rregullorja e BQK-së në fokus të takimit Osmani-Hovenier


Vjosa Osmani dhe Jeffrey Hovenier

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një takimi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ripotencoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për sovranitetin, kushtetueshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës, pavarësisht kritikave të administratës amerikane ndaj ekzekutivit kosovar.

Në një njoftim të lëshuar për shtyp nga Presidenca e Kosovës të enjten pasdite, thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend me fokus të veçantë në propozimet të cilat ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi operacionet me para të gatshme në vend.

“Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, Presidentja Osmani ripotencoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për sovranitetin, kushtetueshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në kumtesë, duke përmendur edhe bashkëpunimin sa i përket agjendës ndërkombëtare dhe fushës së mbrojtjes.

Mospërfillja e kërkesës së SHBA-së nga Qeveria e Kosovës për pezullim të rregullores së BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin kosovar lëkundi raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, derisa kryeministri kosovar, Albin Kurti, u kritikua ashpër nga zyrtarë amerikanë për shkak të degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik rreth çështjes së dinarit.

Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, javën e kaluar deklaroi se administrata amerikane mund të mos e trajtojë Qeverinë e Kosovës si partnere të besueshme, veçanërisht nëse vazhdon të marrë vendime të njëanshme, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb që përdoret kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere […] Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës”.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje për zbatimin e rregullores së BQK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore