Shqipëria

Rama sulmon Dulen nga Dhërmiu: Ç’punë ka ai me Himarën?!


Teksa po shpërndante certifikatat e pronësisë në Dhërmi, kryeministri Edi Rama nuk e ka lënë as sulmin ndaj kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Sipas tij, Dule nuk ka punë që të merret me çështjet e Himarës.

Nëse banorët duan punën, sipas kryeministrit, ata duhet të mbështeten te Vangjel Tavo, prefekti i qarkut të Himarës.

“Himara ka histori shumë të pasur dhe të pandashme. Nuk mund ta ndash sipas qejfit të një cope. Është një histori. Dhe ajo që e simbolizon këtë që po them është fytyra e Vangjel Dules. Ç’punë ka Vangjel Dule në Himarë, përveç se si qytetar i Shqipërisë dhe i jep gojës për të folur marrëzira dhe absurditete”, ka thënë Rama.

“Kjo ka lidhje me synimet e disa njerëzve shumë të vegjël që kanë interesa përçarjeje dhe s’i përkasin këtij shekulli, por nga shekujt të tjerë dhe territore të zymta. Ndaj është mirë që të gjithë ta fusin në kokë, përpara se të kenë çdo gjë tjetër, himariotët kanë Himarën”.

Rama po ashtu ka vijuar duke thënë se Himara “nuk është për t’u marrë dhe për t’u çuar andej apo këtej, por për të ndenjur këtu…vendi ku lulëzon jeta e familjeve himariote”.

“Jo po i marrim pronat, jo po i zhveshim nga këto?! Ça po mohohet? Asgjë! Po punojmë që çdo ditë ky vend të bëhet më i pasur. Doni Vangjel për punë? Ja ku e keni! E doni për sherr? Prisni atë me vetulla të rënda”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore