Zgjedhjet në Shqipëri

Rama: Së shpejti hapet tuneli nr. 3, lehtësohet trafiku Durrës-Tiranë


Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook një video, ku duken punimet tek ish-sheshi Shqiponja. Sipas kryeministrit, së shpejti do të hapet edhe tuneli numër 3, i cili do të lehtësojë trafikun nga Durrësi drejt Tiranës.

“Pas hapjes së tunelit nr. 4 që ndikoi në lehtësimin e qarkullimit të mjeteve, së shpejti do të bëhet edhe hapja e tunelit nr.3, i cili do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve nga Durrësi në drejtim të zonës së Astirit dhe krijojë kushtet për përshpejtimin e ndërtimit të tuneleve të tjera në proces”.

Hyrja e Tiranës ka qenë ndër problemet kryesore të transportit kryeqytetas. Në tetor, filloi puna për rikonceptimin e gjithë sheshit Shqiponja. Në fillim të marsit ndërkohë, u hap tuneli numër katër.

Ky i fundit, lehtësoi qarkullimin e mjeteve nga Tirana drejt Durrësit. Pritet që me hapjen e tunelit të tretë, të lehtësohet edhe trafiku anasjelltas.

Momentalisht gjithë segmenti është i devijuar drejt zonës së Astirit. Me hapjen e tunelit, pritet që qarkullimi të rikthehet në zonën e Laprakës dhe në rrugën “Dritan Hoxha”.

Hyrja e re e Tiranës ka qenë një ndër zotimet kryesore të vitit të shkuar nga kryeministri dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore