Shqipëria

Rama rrëfen momentin kur u dhunua në vitin 1997: “Fotot i bëra si dëshmi”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka rrëfyer një nga momentet më të vështira të jetës së tij kur u dhunua në vitin 1997 dhe vendosi ta dokumentojë këtë incident me fotografi të cilat kanë mbetur si copëza historie në ballinat e gazetave të kohës dhe jo vetëm.

Lajmi u bë i ditur gjatë intervistës për transmetuesin “Top Channel”.

Rama zbuloi se fotot i ka bërë menjëherë pasi u dhunua, pasi donte t’i kishte si dëshmi, sepse në atë kohë dyshohej të ishte bërë me bojë.

“Është e vërtetë në rast se e nxjerr nga konteksti i kohës atë që unë bëja dhe atë që ndodhte dhe arsyeja përse unë kam shkuar të bëj fotografinë ka qenë se në atë kohë ishte janari i 97-ës dhe unë isha kthyer në Shqipëri që përpara Vitit të Ri dhe qëndrova më gjatë sepse përpiqesha të mblidhja firma për të bërë një peticion për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Aleksandër Meksit dhe para se të vinim në këtë moment kishte ndodhur rrahja e Servet Pëllumbit dhe disa të tjerëve, gjaku i të cilëve ishte komentuar në mediat zyrtare të kohës si bojë”, tregoi fillimisht ai.

Më pas, kreu i Qeverisë tregoi me detaje momentin kur dy persona e goditën me leva.

“Isha rreth orës 11 të natës, mos gabohem 22 janar dhe ishte shumë ftohtë po shkoja në shtëpi, bashkë me shoqen time dhe me një shok tjetër që jetonim në një apartament të vogël, futemi tek blloku i pallatit dhe duke ecur në rresht nga muri, duke u afruar te hyrja del një hije që afrohet, mu duk sikur ishte një studenti im që donte të më tregonte ca punë, me letër kishte të mbështjellë një levë dhe në momentin që doja ti thoja ç’i ke këto shaka më goditi dhe më lanë të shtrirë duke menduar se mbarova e ikën”, vijon Rama.

Më pas ai rrëfen se asnjë person nuk i erdhi në ndihmë pasi ishin të frikësuar.

“Unë u çova isha i çarë dhe ajo që ishte shumë spektakolare ishte se ka qenë një bllok me katër pallate dhe të gjithë ishin në ballkone e asnjë nuk zbriti poshtë. Unë mbeta shtrirë, shoqja ime bridhte nëpër kate ku kërkonte ndihmë dhe ndërkohë shoku tjetër iku me vrap për të shpëtuar, njerëzit ishin nëpër ballkone dukej si arenë gladiatorësh unë fillova t’i bërtas njerëzve vazhdoni rrini me frikë si qenër”, përshkruan ndërsa sheh fotografitë kryeministri.

Në vijim të ritregimit, ai kujton se si doli në rrugën kryesore dhe aty vjen një veturë e cila e shoqëroi te fotografi Petrit Kumi.

“Pastaj dal më mori shoqja ime, shkova tek rruga kryesore dhe aty vijnë një veturë ne i dolëm para dhe vjen një person që sot e kësaj dite kam raporte, më shoqëroi për në veturë që kishte dy djem brenda, shoqes time i thashë shko lajmëro se s’dihet çfarë ndodh, çunave i thashë do të ndaloni tek Petrit Kumi që ishte fotografi sepse mendova që çdo gjë mund të ndodhte, e bëra për dëshmi”, theksoi ai.

Rama vëren se ishte shumë i pafuqishëm dhe kishte ethe të ftohta në ato momente.

“Ata i binin derës i thonin që jam me Edi Ramën, fotografi më pa të gjakosur, kisha ndjesinë që më duhej patjetër një dëshmi, në atë kohë kishim vetëm një gazetë të lirë që publikonte çdo gjë dhe pastaj shkova në spital. Kjo është historia”, përmbyll kreu i Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore