Shqipëria

Rama konfirmon Çomon si kandidate në zgjedhjet e 25 prillit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se në muajt mars, prill, maj, qershor do të kemi një vaksinim zinxhir të popullsisë. Rama ftoi Najada Çomon të kandidojë si deputete në zgjedhjet e 25 prillit. Kryeministri e cilësoi Çomon një “komandante në vijën e zjarrit”, në luftën kundër COVID-19. Gjatë prezantimit të saj, kryeministri i shprehu mirënjohjen për punën e bërë në luftën kundër COVID-19.

“Nxora një sekret të vogël, pasi me kënaqësi morëm dhe aprovimin tënd. Të jap fjalën se ne nuk duam të bëhesh si ne, por ne të bëhemi si ti”, tha kreu i qeverisë.

Rama dhe Manastirliu prezantuan arritjet e qeverisë në fushën e shëndetësisë.

“Ne do të ngremë pas 25 prillit të gjithë argumentet për Shqipërinë e viteve që vijnë dhe planin e veprimit për 2021-2025. Ne nuk jemi një nga partitë në garë, por forca e qeverisjes sot dhe nesër”, shprehet kryeministri.

Sa i përket vaksinimit, ai ka treguar se janë vaksinuar 368 mijë e 940 qytetarë të vaksinuar.

“Në luftën e egër, që zgjat prej 1 viti dhe që ka hyrë në fazën finale me vaksinimin, armën fituese, sëpatën me të cilën mund të presim hap pas hapi, goditje pas goditje zinxhirin e infektimeve”.

Kryeministri bëri një bilanc të sistemit të shëndetësisë gjatë këtyre viteve qeverisjeje. Rama foli për gjendjen që kishin spitalet dhe shëndetësia.

“Nuk jemi ende aty ku duhet e ku donim, e ku do të jemi nëse nuk ndalemi e nuk rrotullohemi rreth vetes, por shkojnë përpara me punë e durim”, deklaroi kryeministri.

Në vijim, kreu i qeverisë foli edhe për pagat e mjekëve dhe infermierëve, bonuset që kanë përfituar gjatë përballjes me COVID-19.

Rama foli dhe rastet e korrupsionit, të cilat janë denoncuar mes bluzave të bardha. Kryeministri tha se këto raste nuk mund të njollosin punën e bluzave të bardha.

“Edhe pse nuk kemi bërë sa kemi dashur, duke bërë gjithçka kemi mundur, ja kemi dalë t’iu bëjmë të mos ndiheni se jeni vetëm. 3 mijë e 656 mjekë, infermierë dhe epidemiologë kanë përfituar që prej ditës së parë të luftës bonusin 1 mijë euro mbi pagën mujore dhe do ta përfitojnë atë deri në fund të luftës”.

Kryeministri shtoi se që, nga fillimi i pandemisë, janë punësuar 464 personel shëndetësor.

Paga e mjekëve është rritur në vitet e fundit me 57%. Janë punësuar mbi bazë merite 1250 mjekë dhe 3500 infermierë. Paga mesatare bruto e një mjeku sot është 1100 dollarë dhe e një infermieri 650 dollarë. Rama tha se kjo shifër nuk përkon ende me atë që meritojnë mjekët.

Kryeministri u shpreh se ishin të parët që vendosën gjatë qeverisjes “skemën e mbështetjes financiare me një bonus për çdo mjek që pranon të punojë larg qendrës së banimit apo që kthehet nga jashtë”.

Rama është shprehur se më 25 prill qytetarët do të duhet të zgjedhin që të jenë me drejtësinë apo do të jenë me Ilir Metën, duke iu drejtuar kështu presidentit.

“Në 25 prill, sikundër na kanë ndihmuar që ta bëjë të qartë presidenti aktual që flet dhe në emër të atij presidenti më famëkeq të kësaj Republike, ju do të vendosni; me drejtësinë apo me Ilir Metën”.

Ai ka hedhur dhe akuza kundër opozitës së vendit, duke i quajtur koalicioni “KÇK”.

“Me reformën në drejtësi apo me koalicionin ‘KÇK’, PD-LSI, 25 prilli është udhëkryq edhe për shëndetin e shqiptarëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore