Shqipëria

Nga ‘Air Albania’, Rama prezanton kandidatët e PS-së të Tiranës: Mandati i 3-të, përfundimi i proceseve transformuese


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar kandidatët e listës së Tiranës, në një takim që u zhvillua në ambientet e jashtme të stadiumit “Air Albania”.

Në krah të kryeministrit, kanë qenë dy prurjet e reja, që gjenden në dy pozicionet e para të listës kryeqytetase, Luljeta Bozo dhe Najada Çomo.

Këto dy emra, sipas Ramës, nuk kanë qenë zgjedhje të rastësishme.

“Prania e Luljetës dhe Najadës është një nevojë përfaqësimi e një kategorie profesionistësh dhe individësh, që kanë pasur rol të jashtëzakonshëm në 15 muajt e fundit pas tërmetit. Kjo është shprehje e vullnetit tonë, për t’i çuar deri në fund përballjet e nisura dhe ato që do të vijojnë”, deklaroi fillimisht Rama.

Në vijim, kryeministri foli edhe për problematikat që sollën tërmeti dhe përballja me pandeminë.

“Nga njëra anë, rindërtimi pas goditjes së rëndë të tërmetit përgjatë 15 muajve dhe, nga ana tjetër, përballja me sfidën globale të pandemisë, e cila e sprovoi deri në fund sistemin tonë shëndetësor. Gjithashtu na sprovoi deri në fund edhe si shoqëri, në kushte aspak të lehta, kur ne jemi në një proces transformimesh, edhe pse kemi bërë shumë në të gjitha drejtimet”.

Ai premtoi se, “në muajt e ardhshëm do të sistemohen edhe familjet e mbetura, për të cilat shtëpitë janë në proces rindërtimi. Duhet të ndihemi krenarë për çfarë kemi bërë dhe të sigurt për atë çfarë jemi”.

Kryeministri vuri theksin te fakti se “Partia Socialiste është krijuar dhe është rritur për të bërë gjërat më të vështira, të cilat me të tjerët janë të pamundura”.

Rama u ndal edhe te mandati i tretë, duke e cilësuar si një mundësi “për të bërë përfundimisht të pakthyeshëm çdo proces transformimi. Ne kemi kapacitete qeverisëse të plota dhe të shtuara gjatë gjithë kësaj periudhe kohe që kemi drejtuar vendin, prej 7 vitesh e kusur”.

Sa i takon opozitës, Edi Rama e ka cilësuar si “një grup konglomeratësh që e kanë bërë historinë e tyre, e kanë lënë gjurmën e tyre, shumë më shumë për keq se sa për mirë. Ajo që sot u duhet njerëzve, është vazhdimi edhe me më shumë energji dhe përkushtim”.

“Jam i bindur që ne do t’ia dalim për ta bërë këtë sezon turistik më të lehtë duke vaksinuar shumë njerëz dhe duke këputur në shumë pjesë zinxhirin e infektimeve. Objektivi ynë ambicioz është për ta përfunduar krejt vaksinimin pranverën e ardhshme”, tha kryeministri Rama.

Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, foli për pandeminë, të cilën kanë arritur ta menaxhojnë më së miri falë një ekipi me në krye, “profesoreshë Najada, simbol i luftës”.

Gjithashtu ministrja tha se, “Jam e bindur që më datë 25 do ta rinovojmë kontratën me shqiptarët, sepse kemi kredon e forcës tonë politike. Premtimet i kthejmë në vepra. Skuadra e Tiranës, skuadër njerëzish të jashtëzakonshëm dhe profesionistësh. Do t’ia dalim të jemi ekipi fitues”.

Luljeta Bozo

Numri një në listën e Tiranës, Luljeta Bozo, fillimisht foli për ftesën që i erdhi nga kryeministri Rama.

Ndonëse nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë se do të hynte në politikë, tha ajo, pranoi “pasi është një parti shumë progresiste, ato që merr përsipër i bën. Nuk ka dhënë premtime që nuk i ka mbajtur”.

Në vijim u ndal edhe në dy ngjarje shumë të vështira për Shqipërinë, tërmeti dhe pandemia. “Qeveria e tregoi veten në mënyrën sesi e menaxhoi pandeminë”.

Bozo bëri dhe një paralelizëm me Italinë, duke thënë se, “ka 15 vite që nuk po i strehon të prekurit e tërmeteve, ndërkohë ne po përballojmë edhe tërmetin, edhe pandeminë. Duhet të marrim forcë dhe të ndjekim ato që thonë ekspertët”.

Ajo e mbylli fjalën e saj me premtimin se PS-ja si skuadër do vërë gjithë forcat që të fitojë edhe këtë mandat të tretë që, sipas saj, është në të mirën e të gjithëve.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Numri një i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se kur na ndajnë 32 ditë përpara zgjedhjeve të gjithë duhet të kuptojnë se, “Kjo është një skuadër shërbëtorësh. Nuk jemi si ata që ikin nga fusha. Nuk jemi perfektë, por nga fusha nuk ikim kurrë si ata që ikën përpara dy vjetësh”.

Ai foli edhe për votën e tij të parë për kryeministrin, “Mbaj mend votën time të parë për Edi Ramën dhe aty e kuptova se vota ka fuqi. Nëse e kuptojmë të gjithë këtë gjë, do të jemi fitimtarë”.

Veliaj e mbylli me një shprehje të Roosevelt: “Ose rrini dhe shihni lojën, ose dilni në fushë vetë. Ne kemi zbritur në fushë. Jemi së bashku për një fitore. Të gjithë ata që janë për herë të parë në listë e kuptuan se çfarë do të thotë të përballesh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore