Shqipëria

Rama nga Thethi: Do të falim të gjitha gjobat për ndërtimet pa leje në zonë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këtë të diel të 30 qershorit ka dorëzuar certifikatat e pronësisë në Theth.

Nga aty ai bëri me dije se qeveria do të falë gjobat që janë vendosur si rezultat e i ndërtimeve të banorëve të zonës aty ku kanë pasur banesat e vjetra.

“Ka një masë shumë të madhe gjobash si rezultat i ndërhyrjeve apo ndërtimeve aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo truallin tuaj, që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit. Dhe që nuk janë ndërtuar sipas ligjit sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë që figuron si zonë e mbrojtur natyrore e ka bërë të pamundur, qeveria do t’i falë gjithë gjobat”.

Për Ramën, problematika për t’u pajisur me tapitë do të marrë fund.

“Shtëpitë e trashëguara s’ka qenë e mundur të marrin hipotekën si rezultat i shtrëngimeve të tjera ligjore që ka zona. Ajo që ka rëndësi është që sot janë 200 tituj pronësie që janë këtu. Për 40 të tjera, Bashkia e Shkodrës do duhet t bëjë studimin e zonës, çështje e natyrës ligjore dhe Beneti do ta përfundojë brenda muajit shtator”.

Kryeministri shpjegoi se do të gjendet një zgjidhje e dedikuar për të gjithë ata që janë në këto kushte, ku pamundësia e marrjes së një leje ka qenë objektive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore