Shqipëria

Rama: PS cikël i hapur, qeverisja e Nanos dhe Berishës cikël i mbyllur


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të shtunën e 3 prillit, në një intervistë për emisionin “Kjo javë”, të News 24, ka deklaruar se Partia Socialiste (PS), është “një cikël i pambyllur”.

I pyetur për mandatin e tretë, Rama shprehet se ka të bëjë me punët që, sipas kryeministrit, “duhet të vazhdojmë të bëjmë”. Referuar qeverisë së Fatos Nanos dhe Sali Berishës, Rama tha se ka qenë “fundi i një cikli. Ndërsa kërkesën e Partisë Socialiste për të marrë mandatin e tretë, e cilëson si të “pa mbyllur”.

“Në të dy rastet e mëparshme, ka qenë fundi i një cikli, ndërkohë që PS dhe skuadra jonë nuk e ka mbyllur ciklin është një cikël i hapur dhe në çdo drejtim ne kemi punë që duhen çuar para dhe duhen kryer”, ka thënë Rama.

“Ilir Meta na ka lënë, nuk i përket më kësaj bote”

Rama ka hedhur akuza në mënyrë të drejtpërdrejtë, presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

“Ilir Meta na ka lënë. Ilir Meta nuk i përket më kësaj bote në sensin e botës së njerëzve normal”, është shprehur Rama, duke theksuar se, zgjedhjet ne 25 Prill janë zgjedhje e qartë midis drejtësisë dhe Ilir Metës.

“Kush do të votojë në 25 Prill për Partinë Socialiste do të japë një kontribut të rëndësishëm edhe për të çliruar Presidencën nga Ilir Meta”.

Me në fokus dhe procesin e vaksinimit anti- Covid, Rama ka shtuar se kjo fushatë “mund ta ndihmojë”, fushatën elektorale. Ndër të tjera, Rama e ka cilësuar fushatën elektorale si “aneks i aktivitetit”.

“Fushata elektorale për mua është një aneks i aktivitetit sepse epiqendra e aktivitetit është vaksinimi. Në sensin e punës që duhet bërë çdo ditë, për të vazhduar të garantojmë dozat e nevojshëm”, tha ai.

50 mijë AtraZeneca dhe 22 mijë doza Pfizer

Kryeministri ka bërë të ditur se janë siguruar dhe 22 mijë doza Pfizer, që do të vijnë brenda prillit. Sipas tij, plani është që dozat të vijnë të ndara në tre fasha.

Po ashtu njofton që po përfundohet një marrëveshje me Bashkimin Evropian (BE), ku “me angazhimin e presidentes së komisionit dhe komisionerit Varhelyi”, janë siguruar një sasi prej “600-651” mijë doza vaksinash.

Gjithashtu, janë siguruar nga një institut i Indisë që prodhon vaksina të Astrazeneca-së, 50 mijë doza të tjera.

Raporti i TI-së: “Skandaloz, me të pavërteta flagrante”

Ndër të tjera, referuar rezultateve të raportit të Transparency Internacional (TI), e ka cilësuar si “skandaloze”, që përmban “të pavërteta flagrante”.

“Një raport skandaloz me të pavërteta shumë flagrante që unë nuk e di se me çfarë lloj kurajoje është vulosur edhe nga ‘Transparency Internacional’ ndërkohë që është bërë në Shqipëri, nga disa shqiptarë, të cilët janë treguar në rastin më të mirë të pavëmendshëm, në rastin më të keq, të njëanshëm”, shprehet  Rama, pasi ka vënë në dukje “rritjen e demokracisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore