Shqipëria

Rama deklarata të forta rreth vaksinimit, marrëdhënies Greqi-Turqi dhe darkës në Dubai


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë i ftuar ditën e enjte në emisionin “Open”. Tematikat kryesore që u diskutuan ishin procesi i vaksinimit, marrëdhëniet me Greqinë e Turqinë si dhe darka e përfolur në Dubai.

Rama ka sqaruar se vaksinat anti-COVID kanë ardhur në kushte dhe mjete të përshtatshme transporti nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian (BE), por është kërkuar konfidencialitet nga ana e shtetit dhurues. Ato janë shoqëruar nga autoritetet përgjegjëse me njësi speciale sigurie.

Rama ka shtuar që do ketë dhe një kontratë nga kompania farmaceutike Pfizer. Kontrata do të dërgohet për votim në parlament dhe më pas do të bëhet publike.

Sipas tij, procesi i vaksinimit pritet të mbyllet me skenarin e parë për 14 muaj, skenarin e dytë për 17 muaj dhe skenarin e tretë për 24 muaj. Janë siguruar 500 mijë doza, ku 10 mijë e 780 doza do të mbërrijnë në janar dhe 30 mijë doza gjatë shkurtit.

Marrëdhënia e Shqipërisë me Turqinë ka qenë një nga temat që u diskutua gjatë emisionit. Rama ka njoftuar që Turqia do të investojë 70 milionë euro për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Fierit me kushte moderne. Gjithashtu, në Shqipëri do të vijë dhe Universiteti Teknik i Stambollit për të ofruar “më shumë mundësi” për të rinjtë shqiptarë.

Kryeministri ka refuzuar të komentojë mbi rolin e tij në dialogun mes Turqisë dhe Greqisë. Ai është shprehur se nuk është negociator dhe për arsye etike refuzon të komentojë.

I pyetur për çështjen e kufirit detar me Greqinë, Rama ka publikuar disa harta me ndryshimet territoriale  të bëra në vitin 2008. Sipas tij, Shqipëria ka humbur 1 mijë e 200 km katror territor në vitin 2008, nga një marrëveshje e Sali Berishës dhe ish- presidentit, Bujar Nishani. Këtë marrëveshje e ka rrëzuar më vonë Gjykata Kushtetuese.

Rama ka folur dhe për darkën që një pjesë e ministrave të Qeverisë zhvilloi në Dubai në një restorant luksoz. Sipas tij, udhëtimi i këtij delegacioni ka qenë një darkë pune, me qëllim arritjen e një marrëveshje me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ai ka njoftuar gjithashtu që Princi i Kurorës së Emiratave të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, do të investojë edhe për ndërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti. Ai ka investuar personalisht për ndërtimin e 2 mijë banesave./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore