Kosova

Qosja për Kadarenë: Personalitet madhështor historik i Kombit Shqiptar


Profesori, akademiku dhe shkrimtari i madh shqiptar, Rexhep Qosja, ka thënë se ndarja e Ismail Kadaresë nga jeta është vetëm një ndarje trupore dhe se do të mbetet personalitet historik i Kombit Shqiptar.

“Në sajë të tyre Ismail Kadare në të përtashmen dhe në të gjithë të ardhmen do të jetë personalitet madhështor historik i Kombit Shqiptar, të cilit do t’ia dhurojnë ndjenjat e tyre, mendimet e tyre, përkushtimet e tyre të gjithë brezat e shqiptarëve pavarësisht ku do të jetojnë ata”, shkroi Qosja në Facebook.

Qosja ka thënë se mirëkuptimi dhe nderimi i ndërsjellë mes tij dhe Kadaresë në masë të madhe do të bazohej në qëndrimin e tij ndaj Kadaresë kur ai do të shpërngulej prej Tiranës në Paris.

“Mospajtuesve që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej Atdheut unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare”.

Tutje shkrimtari kosovar ka potencuar se “Kadare dhe unë kohë pas kohe kemi shkruar për krijimtarinë e njëri tjetrit”, derisa ka shtuar se “unë e kam propozuar përkthimin e romanit të tij Kështjella në gjuhën serbo-kroate dhe kam shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë”.

“Ismail Kadare, ndërkaq, e ka shkruar parathënien për romanin tim vdekja më vjen prej syve të tillë të botuar në Paris. Por, mes Ismail Kadaresë dhe meje kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike si pasojë e pikëpamjeve tona të ndryshme për çështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi”.

“Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin”.

Sipas Qosjes, emri i Kadaresë dhe jetëshkrimi i tij janë të gjithmonshëm, sepse janë emër dhe jetëshkrim të pavdekshëm, janë historikë.

“E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë: proza letrare, shkrimet publicistike, trajtesat historiko letrare dhe kritike e eseistike. Të gjitha këto – emri Ismail Kadare, jetëshkrimi i tij, krijimtaria mendore, veprimtaria kulturore, shoqërore, etike dhe kombëtare në përgjithësi përbëjnë vlerën e madhe kulturore shqiptare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore