Lajme

Pse fermerët evropianë po “derdhen” në sheshe – hija e populistëve për t’u bashkuar përpara zgjedhjeve


Marshimi i fermerëve nga e gjithë Evropa në Place de Luksemburg në Bruksel të bashkuar kundër Politikës së Bujqësore Komunitare (PBK) dhe Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së, është ngjarja e fundit e një lëvizje që po përshkon prej javësh vendet evropiane si Holanda, Gjermania, Franca, Belgjika, Rumania, Hungaria, Italia e së fundmi edhe Greqia.

Fermerët me traktorët e tyre kanë pushtuar rrugët evropiane me pankarta e postblloqe.

Protestat bartin kërkesa bazuar në pretendime të ndryshme dhe pjesërisht kontradiktore, sipas vendeve. Ajo që i bashkon është protesta kundër politikave bujqësore evropiane që konsiderohen shumë penalizuese për një sektor që po lufton t’i mbijetojë konkurrencës globale.

Ndër kërkesat është rishikimi i masave për qëndrueshmërinë e sektorit agroushqimor, por edhe e ashtuquajtura Politika Bujqësore Komunitare.

Gjithçka filloi në mënyrë simbolike në Gjermani në fillim të vitit.

Qeveria Scholz është përballur me një deficit buxheti prej 17 miliardë eurosh dhe po mundohet të rikuperojë përmes një sërë shkurtimesh në shumë sektorë. Mes shkurtimeve është edhe prerja e subvencionimit të karburanteve bujqësore. Një zgjedhje e cila, në kohë krize ekonomike dhe inflacioni, krijoi zemërim në sektorin bujqësor.

Mijëra fermerë të vegjël organizuan postblloqe dhe marshime në të gjitha qytetet gjermane duke u bërë kështu menjëherë simboli i protestës që ka përfshirë Evropën.

Holanda kishte parë që në 2019 protesta me kërkesa ndaj qeverisë për të përgjysmuar prodhimin blegtoral dhe për të reduktuar emetimet e oksidit të azotit. Në Bruksel ndodh shpesh që fermerët të hedhin qumësht në mure ose të bllokojnë rrugët me bagëtinë.

Por dimensioni që po merr protesta kësaj radhe i tejkalon kufijtë e një vendi.

Kërkesat janë  ato të zakonshmet për më shumë ndihma sektorit, për të thënë jo kufijve të ngurtë të Marrëveshjes së Gjelbër (Green Deal), për të pasur më shumë mbrojtje nga ngjarjet ekstreme klimatike, kostot e larta të energjisë, epidemitë si gripi i shpendëve dhe konkurrenca e pandershme nga pjesa tjetër e botës që nuk i nënshtrohet rregullave të Komunitetit.

Marrëveshjet për importin e mallrave bujqësore ukrainase ishin fitili, por në qendër të protestës në fakt është traktati BE-Mercosur (Mercado común del Sur), një pakt i tregtisë së lirë midis Bashkimit Evropian dhe disa vendeve të Amerikës Latine që diskutohet prej vitesh.

Mercosur është një zonë e tregtisë së lirë në Amerikën e Jugut, e themeluar në vitin 1991. Vendet anëtare janë Brazili, Argjentina, Paraguai dhe Uruguai, të cilat në bazë të një traktati ndërmjet qeverive kanë hequr detyrimet doganore midis katër vendeve dhe kanë vendosur një tarifë të përbashkët doganore për eksportet në vendet e treta.

Marrëveshja tregtare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Mercosur u përcaktua në vitin 2019, por ende nuk është nënshkruar. Elementi themelues i marrëveshjes është eliminimi i detyrimeve të ndërsjella midis vendeve të BE-së dhe atyre që aderojnë në Mercosur.

Një nga objektivat kryesore të Brukselit është konsolidimi i marrëdhënieve tregtare me vendet e Amerikës së Jugut, duke siguruar kështu një ndikim të barabartë me atë të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në atë zonë të planetit ku jetojnë rreth 780 milionë njerëz, sigurimi i lëndëve të para dhe eksporti i produkteve dhe makinerive në tregjet e Amerikës së Jugut.

Kurse për vendet e zonës Mercosur, interesi lidhet me mundësinë për të eksportuar, përveç lëndëve të para, edhe produkte që vijnë nga blegtoria dhe bujqësia. Kjo është pikërisht ajo që kundërshtojnë fermerët të cilët i tremben konkurrencës nga çmimet më të ulëta.

Në këtë pikë Brukseli është përpjekur të mbrohet duke propozuar të rinovojë për një vit tjetër (midis qershorit 2024 dhe qershorit 2025) përfitimet bujqësore dhe komerciale që i janë dhënë Kievit, duke i kombinuar ato me masa të forcuara mbrojtëse ndaj fermerëve kufitarë në Hungari, Poloni, Sllovaki, Republika Çeke dhe Rumani.

Përsa i përket Marrëveshjes BE-Mercosur, qeveria franceze, në vazhdën e protestave të fermerëve, përmes kryeministrit Gabriel Attal njoftoi tërheqjen e saj nga negociatat.

Një vendim i imponuar nga Presidenti Emmanuel Macron, të cilin Komisioni Evropian nuk mund të mos e marrë parasysh.

Më pas, ekzekutivi i BE-së deklaroi më 30 janar se kushtet për një marrëveshje me Mansour “nuk u plotësuan”, por se bisedimet do të vazhdojnë. Vështirë mund të hiqet dorë nga një treg prej 780 milionë njerëz, i cili ka një import – eksport që i afrohet 45 miliardë eurove.

Një tjetër nga pretendimet më të përhapura të fermerëve është çmimi i naftës. Kriza energjetike ka rritur kostot për kompanitë, ndërkohë që në shumë vende evropiane flitet për uljen e subvencioneve të dëmshme për mjedisin, përfshirë ato që kanë të bëjnë me karburantet bujqësore.

Pastaj vijnë kundërshtimet e lidhura me çështjet mjedisore.

Plani ekologjik i tranzicionit për bujqësinë, i miratuar nga qeveritë evropiane, parashikon që 4% e tokës bujqësore të lihet djerrë, për të inkurajuar rigjenerimin natyral të lëndëve ushqyese.

Pronarët do të marrin subvencione për respektimin e këtij rregulli, por përballë një sërë dokumentacionesh që fermerët nuk janë në gjendje të prodhojnë, e konsiderojnë si zgjidhje të pa pranueshme.

“Jo kontributeve për mos kultivim” është një nga sloganet më të njohura në Itali.

Në vitin 2023 ka pasur një përjashtim nga ky detyrim dhe tani Komisioni i BE-së propozoi një përjashtim të mëtejshëm që të zgjasë edhe për vitin 2024. Por kjo duket ende një masë e pamjaftueshme për fermerët.

Po kështu, ka kundërshtime ndaj vendimit të miratuar për ndarjen e të paktën 25% të tokës së kultivuar për bujqësinë organike dhe ndaj vendimit, ende në negocim, për të reduktuar përdorimin e pesticideve me 50% deri në vitin 2030. Të dyja këto vendime bazuar në marrëveshjen e Gjelbër (Green Deal) të BE-së.

Edhe objektivat e tjerë të Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së kontestohen si “shumë të rrepta” dhe “joreale”.

Si ato për të reduktuar në mënyrë drastike emetimet e dëmshme në sektorin e blegtorisë. Për fermerët arritja e këtij objektivi kërkon investime të konsiderueshme dhe jo të përballueshme për shumë kompani bujqësore, të cilat në situatën aktuale janë përballë  kredish bankare të mëdha.

Sigurisht gjëja e madhe e përjashtuar nga diskutimet e këtyre ditëve protestash është mekanizmi i shpërndarjes së fondeve të Politikës Bujqësore Komunitare. Ky është kapitulli më i madh i shpenzimeve të Unionit, me mbi një të tretën e buxhetit të institucioneve të BE-së që përdoret për bujqësinë: 400 nga 1 mijë e 200 miliardë euro në shtatë vjet.

Fondet shpërndahen sipas madhësisë: ata që kanë më shumë tokë marrin më shumë para, duke bërë që fushat pjellore të përqendrohen në pak duar, ato më të fuqishmet. 10% e fermerëve më të pasur marrin 50% të fondeve, ndërsa 10% e më të varfërve mbeten me vetëm 6% të kontributeve evropiane.

Ndryshimi i këtyre rregullave prej kohësh është pjesë e kërkesave të botës politike ekologjike dhe pjesë e sektorit agroushqimor, por nuk figuron as ndër dëshirat e shoqatave tregtare dhe as ndër parullat e traktorëve që mbushin sheshet evropiane.

Ajo çka është interesante, është pa dyshim që protestat e fermerëve po shfrytëzohen nga të djathtat populiste dhe sovraniste të vendeve të ndryshme evropiane, pikërisht përpara zgjedhjeve të bashkimit Evropian të qershorit.

Jordan Bardella, lideri i Rassembement National në Francë, Matteo Salvini, kreu i La Lega-s në Itali apo edhe edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni e partisë Fratelli D’Italia, apo kryeministri hungarez, Viktor Orban, i partisë Fidsez, janë distancuar nga Evropa në mbështetje të kauzës së fermerëve.

Por në votimin e 23 nëntorit të 2021, kur u votua reforma e PBK-së, deputetët e këtyre partive populiste votuan pro për  të paktën një nga tre rregulloret që përbëjnë shtyllat e saj, duke u vënë në fakt në shërbim të lobeve kryesore, jo të fermerëve të vegjël.

Ata që luftuan kundër reformës ishin të gjelbërit, për arsye të kundërta me ato të denoncuara sot nga fermerët, sepse politikat e gjelbra trajtoheshin shumë pak.

Strategjia e populistëve për zgjedhjet evropiane është të përziejnë zemërimin e fermerëve me propagandën sovraniste dhe dezinformimin, duke iu bashkuar kështu një kauze që padyshim ngjall simpati në nivel popullsie, me shpresën në fitore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore