Lajme

Prokurorja Hajdari: Serbia nuk iu përgjigjet shkresave të Prokurorisë së Kosovës për hetimin e krimeve të luftës


Vendet e rajonit nuk bashkëpunojnë në mes vete kur bëhet fjalë për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Kështu ka deklaruar prokurorja për krime lufte në Kosovë, Drita Hajdari, duke shtuar se gjithçka lidhet me “statusin politik të Kosovës” dhe si rrjedhojë Prokuroria Speciale e Kosovës nuk merr përgjigje nga Serbia.

“Serbia heshtë dhe nuk përgjigjet në shkresat tona ose thonë se nuk është në bazë të qëndrimit të qeverisë së Serbisë” – ka thënë ajo, në konferencën me temën “Arkivat dhe parandalimi i konflikteve: Mësime nga e kaluara, vizione për të ardhmen”, e cila është organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN.

“E vetmja ndihmë është përmes zyrës së BE-së e ministrisë së drejtësisë”, ka shtuar më tej Hajdari.

Prokurorja e cila po heton rastet e krimeve të luftës në Kosovë, ka treguar se Prokuroria Speciale ka pranuar të gjitha lëndët nga EULEX.

Ajo ka treguar se në fillim të procesit të hetimeve ishin vetëm dy prokurorë që hetonin këto raste, ndërsa tani numri është dyfishuar.

Se mungon bashkëpunimi rajonal për këto raste ka treguar edhe shefi i Divizionit Ekzekutiv, në EULEX, Lars-Gunnar Wigemark.

Ai, ka treguar se Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit ka dorëzuar 400 raste aktive, shumica e të cilave të trashëguara nga UNMIK.

“Misioni ka dorëzuar 400 raste aktive, shumica ishin trashëguar nga UNMIK. Është shumë e rëndësishme të thuhet se nuk ka mjaftueshëm bashkëpunim rajonal”.

“Këto ditë nuk jemi në kontakt me Serbinë pasi rastet nga vitit 2018 i kemi bartur në Kosovë”, ka thënë ai.

Prokurori Prokurorisë Themelore të Malit të Zi, Vukas Radonjiç, ka folur për nevojën për ekspertë ndërkombëtar për hetimin e këtyre krimeve.

“Nuk kemi traditë në këto lloje të krimeve, kemi nevojë për asistencë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe të kuptohen krimet e luftës. Janë gjykuar edhe shtetasit e Malit të Zi. Kemi vështirësi për ekzekutim të këtyre dënimeve. Koha ndikon shumë edhe në kujtesë dhe shpesh nuk përshtaten dëshmitë dhe nuk mund të konfirmohen”, ka thënë ai.

Ndërsa, Ivan Matesiç, zëvendëskryeprokurori për Krime Lufte në Bosnje dhe Hercegovinë tha se në Bosnje janë ngritur numër i konsiderueshëm i aktakuzave lidhur me krimet e luftës.

“Ne i kemi akuzuar mbi 1,000 persona në prokurorinë e Bosnjës. Kemi marr dënime me mbi 3,500 vite Unë i kam akuzuar 26 persona në lëndët e mia. I kemi po ashtu 6 gra të ndëshkuara për krimet e luftës. I kemi mbi 370 prokurorë në gjithë Bosnjën”, tha ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore