Shqipëria

Prokuroria Speciale e Kosovës dhe ajo e Posaçme e Shqipërisë formojnë njësinë e përbashkët hetimore


Blerim Isufaj dhe Altin Dumani

Është formuar njësia e përbashkët hetimore në mes të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë.

Siç njofton Prokuroria, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj dhe Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Altin Dumani, kanë nënshkruar sot marrëveshje me të cilën kanë formuar njësinë e përbashkët hetimore, të përbërë nga prokurorë të të dyja prokurorive përkatëse.

Foto: Prokuroria Speciale e Kosovës

Sipas njoftimit, qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshje në mes të dy krerëve të institucioneve të ndjekjes parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit.

Kryeprokurori i PSRK-së, Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani, nënshkrimin e kësaj marrëveshje e kanë vlerësuar të rëndësishëm duke theksuar se ky është “një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse”, si dhe “drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë mes dy institucioneve të drejtësisë”.

Nënshkruesit e marrëveshjes, u zotuan për bashkëpunim të ngushtë në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore