Kosova

Prokuroria kërkon 1 muaj paraburgim për të arrestuarin për spiunazh


Prokuroria Speciale e Kosoves

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar një muaj paraburgim për personin me inicialet A.V, që u arrestua të mërkurën për shkak të veprës penale “Spiunazh”.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se kundër të pandehurit: A.V. i ka paraqitur sot kërkesë për caktimin e paraburgimit, Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Kërkesën për caktimin e paraburgimit kjo prokurori e ka paraqitur, pasi që ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: “Spiunazhi” nga neni 124 par. 3 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par 1 të KPRK-së.

Ndryshe, të mërkurën, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar se ka ndaluar edhe një person për spiunazh, në regjionin e Mitrovicës.

Lajmi është bërë i ditur nga PSK-ja, përmes një komunikate për media të mërkurën.

“Prokuroria Speciale e Kosovës, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës  ka arrestuar një person”, thuhet fillimisht në njoftimin.

I arrestuari A.V. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së.

I njëjti me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe nga Policia e Kosovës u krye bastisje në banesën e të dyshuarit.

Para disa javëve, ishin arrestuar edhe dy persona të tjerë nga Ferizaj, të dyshuar për spiunazh.

Dy shtetasit kosovarë u arrestuan pas një hetimi disamujor dhe ngarkohen me veprën penale “spiunazh”.

Në bazë të raportimeve të mediave vendore, personat e arrestuar dyshohet se kanë spiunuar për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Bedri Shabani, është edhe dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjyqin ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore