Lajme

Projekti Pegasus: iPhone-t “e fundit” janë kompromentuar


Provat e reja nga Amnesty International dhe “Forbidden Stories” kanë zbuluar një valë masive sulmesh nga klientët e kompanisë së mbikëqyrjes kibernetike NSO Group drejt iPhone-ve, duke prekur potencialisht mijëra përdorues të Apple në të gjithë botën.

“Analiza jonë forensike ka zbuluar prova të pakundërshtueshme që, përmes sulmeve të klikimit zero – mesazhet që shfaqen në pjesën e sipërme të ekranit – të iMessage, spyware i NSO-së ka kompromentuar me sukses modelet iPhone 11 dhe iPhone 12. Mijëra iPhone potencialisht janë komprometuar”, deklaroi zëvendës-drejtorja e Amnesty Tech, Danna Ingleton.

Sipas saj, Apple krenohet me veçoritë e saj të sigurisë dhe privatësisë, por NSO Group i ka “hedhur poshtë” këto.

Këto sulme kanë ekspozuar aktivistë, gazetarë dhe politikanë në të gjithë botën ndaj rrezikut për të monitoruar vendndodhjen dhe informacionet e tyre personale, duke u keqpërdorur ndaj tyre.

Amnesty International shkruan se ky është një shqetësim global – çdokush dhe të gjithë janë në rrezik, madje edhe gjigantët e teknologjisë si Apple nuk janë të mirë-pajisur për t’u përballur me shkallën masive të mbikëqyrjes.

“NSO Group nuk mund të fshihet më pas pretendimit se spyware-i i tij përdoret vetëm për të luftuar krimin. Ka prova të shumta që spyware i NSO-së po përdoret sistematikisht për shtypjen dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut. NSO Group menjëherë duhet të ndalojë shitjen e pajisjeve të saj qeverive me një historik të abuzimit të të drejtave të njeriut”, thekson Amnesty.

Sipas tyre, këto zbulime tregojnë se industria e mbikëqyrjes është jashtë kontrollit.

“Shtetet duhet të zbatojnë menjëherë një moratorium global mbi eksportin, shitjen dhe përdorimin e pajisjeve të mbikëqyrjes derisa të ekzistojë një kornizë rregullatore në përputhje me të drejtat e njeriut”, shkruan Amnesty.

Ndërtimi i situatës

Spyware i NSO Group është përdorur për të lehtësuar shkeljet e të drejtave të njeriut në të gjithë botën në një shkallë masive, sipas një hetimi të madh në rrjedhjen e 50 mijë numrave të telefonit. Këta të fundit kanë qenë synime të mundshme të mbikëqyrjes.

Në të përfshihen krerë të shtetit, aktivistë dhe gazetarë, përfshirë familjen e Jamal Khashoggi-t.

Projekti Pegasus është një bashkëpunim thelbësor nga më shumë se 80 gazetarë të 17 organizatave mediatike në 10 vende të koordinuara nga “Forbidden Stories”, një media jofitimprurëse me bazë në Paris, me mbështetjen teknike të Amnesty International, i cili zhvilloi teste të fundit forensike në telefona për të identifikuar gjurmët e spyware.

Hetimi zbuloi sot se sulmet me klikim zero të Pegasus-it janë përdorur për të instaluar spyware në iPhone.

Amnesty International ishte në gjendje të konfirmonte që mijëra iPhone ishin renditur si shënjestra të mundshme për Spyware Pegasus, megjithëse nuk ishte e mundur të konfirmohej se sa u hack-uan me sukses.

Mijëra telefona të Google Android u zgjodhën gjithashtu për shënjestrim, por ndryshe nga iPhone sistemet e tyre operative nuk mbajnë regjistra të arritshëm të dobishëm për zbulimin e sabotimit të Spyware Pegasus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore