Shqipëria

Projekti ka të gjitha gjasat që të zhvillohet dhe konsolidohet më tutje, thotë Rama


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se projekti i Komunitetit Evropian ka të gjitha gjasat që të zhvillohet dhe konsolidohet më tutje.

Reagimi i kreut të qeverisë erdhi pas takimit në Samitin e Pragës.

“Ky është një proces, frika ka qenë një forcë shumë vendimtare në gjithë historinë e përpjekjeve për të ndërtuar një komunitet politik evropian, ashtu siç ka qenë një forcë penguese dhe për vetë BE-në. Në një situatë si kjo, Evropa është në një pikë ku për ta krijuar të ardhmen duhet ta parashikojë”, u shpreh fillimisht kryeministri shqiptar për mediat.

Sipas tij, jemi në një “epokë të re rreziku”, ku janë mbledhur të gjithë dhe po bashkohen të gjithë për shkak të inflacionit të luftës.

“Nuk ndahen dot në pjesë kriza e klimës, kriza energjetike, demokratike. Jemi në një epokë të re rreziku, kemi dalë nga epoka e sigurt. Kjo epokë e rrezikut i ka mbledhur të gjithë dhe i ka nxitur të afrohen sa më shumë për shkak të inflacionit të luftës”, vërejti Rama.

Kjo e fundit, shtoi kryeministri, nuk është shkaktuar nga “ne” por na prek të gjithëve përmes rritjes së çmimeve të energjisë.

“Ne në Shqipëri do vazhdojmë të insistojmë që të mos rritet çmimi i energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël”, garantoi kryeministri.

Lidhur me këtë, Rama ka kërkuar që të thirren ministrat e energjisë së rajonit në Pragë për të trajtuar çështjen e krizës energjitike si një problem evropian.

Duke iu kthyer samitit, ai kujtoi se vendet u ndanë në tryeza të rrumbullakëta, për t’u fokusuar në propozimet e gjithësecilit.

Kjo, që nga “kriza energjetike tek inflacioni i Putin-it dhe patjetër tek forcat e rublave në gjirin e shoqërive tona”.

Rama zbuloi dhe njërën prej kërkesave të tij lidhur me përfshirjen e të gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nëse i kanë hapur apo jo negociatat.

“Shqipëria ka një zë dhe një peshë tjetër, sepse përfaqëson më së miri vendet që nuk pjesë e Evropës së Bashkuar, por mbeten në Evropë”, ravijëzoi kreu i qeverisë në përmbyllje.

Evropa në Pragë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore