Lajme

Profili i gazetës zvicerane për ish-presidentin Thaçi: Një figurë emblematike – udhëhoqi luftën për liri nga Zvicra


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi, ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka qenë një figurë emblematike gjatë luftës së vitit 1998/99 dhe do të vazhdojë të mbetet simbol i luftës dhe përpjekjeve siperane për çlirimin e Kosovës, pa marrë parasysh akuzat për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njërëzimit nga Gjykata Speciale në Hagë të Holandës.

Në një profil të gjatë të gazetës zvicerane “Swissinfo” kushtuar njërit prej figurave eminente të përpjekjeve të kosovarëve për liri, duke filluar nga aktiviteti politik si pjesëtar i një grupacioni ushtarak gueril, deri te formimi i tij si një burrë shteti. Gazeta shkruan edhe për arratisjen e Thaçit në Zvicër pas urdhërarrestit të lëshuar nga Serbia në fillimit të viteve ’90.

“Thaçi, tridhjetë vjet më parë, ka arritur të krijojë një ushtri që ka dy emra të gdhendur në gur. E para është pseudonimi që i ka vënë vetes ‘gjarpër’. Dhe emrin që ka trashëguar UÇK-ja”, ka shkruar gazeta në Bernë të Zvicres, derisa ka vazhduar të tregojë për aktivitetet e Thaçit gjatë strehimit në Zvicër në vitin 1994 – vit kur edhe ishte themeluar UÇK-ja.

“Në të njëjtën kohë, në Zvicër – ku jeton një diasporë e madhe kosovare – ai ka vazhduar fushatën për UÇK-në. Bashkatdhetarët e tij në Zvicër ishin plot patriotizëm, duke pyetur veten se si t’i kundërviheshin Serbisë në një kohë kur Beogradi kishte nisur represionin brutal ndaj kosovarëve”, ka shkruar ndër të tjera gazeta e njohur zvicerane.

Në artikullin e rrjetit mediatik zviceran thuhet se Thaçi ka promovuar idenë e organizimit të ndihmave nga Zvicra për luftëtarët e UÇK-së. Autori i artikullit ka kujtuar se ka qenë pikërisht ky moment kur në opinionin e gjerë publik janë përhapur edhe akuzat e para për trafikim të pretenduar të armëve nga ish-eprori i UÇK-së, por pa dhënë asnjë provë konkrete.

“Në kuadër të UÇK-së, ai ishte përgjegjës për trajnime dhe rekrutime, duke qenë në gjendje të llogariste në një diasporë prej 130,000 dashamirësve të lirisë në Zvicër. Në atë kohë, në vitin 1995, gjithnjë e më shumë të rinj kosovarë niseshin nga Zvicra për në Kosovë. Në pak vite UÇK-ja ka arritur të rekrutojë tridhjetë mijë njerëz të armatosur”, ka shkruar gazeta.

Thaçi do të bëhej gjerësisht i njohur për publikun, vetëm kur ishte zgjedhur si përfaqësues politik i UÇK-së, ndërsa nga Shtabi i Përgjithshëm në kryeqytetit shqiptar, në moshën 29 vjeçare, do të udhëhiqte delegacionin shqiptar në bisedimet e paqes në Rambuje të Francës. Pastaj do ta shpallte pavarësinë. Tash do të duhet të luftojë për herë të parë për nderin e UÇK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore