Lajme

“Procesi i Vetingut – i nevojshëm në sistemin e sigurisë”


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Vetingu si proces përveç që po konsiderohet i nevojshëm në sistemin e drejtësisë, është vlerësuar si i tillë edhe në sistemin e sigurisë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Mehmeti në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se hartimi i këtij procesi ndikon në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

“Jemi koshient që në Kosovë ka nevojë për një Veting të institucioneve të caktuara përfshirë këtu edhe sistemin e sigurisë dhe organizatën e policisë. Një Veting në përgjithësi, i cili do të ngritë besueshmërinë të qytetarët, me ngritë legjitimitetin e institucionit, për ne absolutisht është i mirëseardhur’’, ka thënë Mehmeti.

Sipas Mehmetit, gjatë rekrutimit dhe fazave të ndryshme, “policët kalojnë në njëfarë kontrolli, qoftë nga inspektorati policor qoftë nga drejtoria e standardeve profesionale por, Vetingu do të ndikonte që individët nuk duhet të jenë ose jo pjesë e policisë”.

Ndërkohë, më 29 korrik të vitit 2021, Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se është proceduar për konsultime publike, drafti i Koncept Dokumentit për Zhvillimin e Procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, kishte shkruar se procesi i Vetingut është një projekt që si prioritet strategjik ka përmirësimin e integritetit të institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Është proceduar në konsultime publike drafti i Koncept Dokumentit për Zhvillimin e Procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë. Andaj, nga sot deri më datën 19 gusht i mirëpresim komentet e çdo zyrtari publik por edhe qytetari për këtë Koncept Dokument ashtu që të arrijmë ta finalizojmë këtë proces në mënyrën më të suksesshme”, shkruante Haxhiu.

Ndërkaq, ministrja Haxhiu tre muaj më parë pati paralajmëruar nisjen e procesit të Vetingut.

Ajo në tryezën e diskutimit “Sundimi i Ligjit në Kosovë: Cilat janë prioritetet e Qeverisë së re”, ka theksuar se nuk ka më dilemë nëse do të ketë apo jo Veting në Kosovë, për të cilin ajo ka treguar se është në komunikim edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme që të shohin ndryshimet e duhura për këtë proces.

Sipas saj procesi i Vetingut në Kosovë duhet të mësojë nga gabimet e procesit të Vetingut në Shqipëri.

“Procesi i Vetingut në Kosovë duhet të marr mësim nga procesi i Vetingut në Shqipëri, dhe të marrim mësim nga gabimet e tyre. Qëllimi është që ky proces të nis pas disa ditëve. Është mirë që të nis me një koncept dokument. Pasi do ta kemi më lehtë me një koncept dokument, e pastaj të fillojmë me ndryshime ligjore”, ka thënë Haxhiu.

Objektivat që synohet të arrihen me këtë Koncept Dokument

Qëllimi i kësaj politike konsiston në forcimin e shtetit, avancimin e demokracisë, luftimin e dukurive negative, në veçanti krimin dhe korrupsionin, si dhe synon përmirësimin e integritetit të institucioneve të drejtësisë, përmes Veting-ut dhe mekanizmave të tjerë.

“Si objektiv specifike në kuadër të këtyre objektivave strategjike, është kthimi i besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Qëllimi kyç i procesit të konsultimit konsiston në komunikimin e Koncept Dokumentit me të gjitha institucionet relevante, organizatat e shoqërisë civile, dhe partnerët strategjikë ndërkombëtarë”.

Ndryshe, gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovë pritet t’i nënshtrohen procesit të Veting-ut. Përmes tij, synohet të bëhet verifikimi i dijes së tyre, i integritetit etik dhe i pasurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore