Lajme

Prigozhin shfaqet në margjinat e samitit Rusi-Afrikë në Shën Petersburg


Themeluesi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, është shfaqur në margjinat e një samiti të madh Rusi-Afrikë në Shën Petersburg.

Kjo paçka se ra dakord të shkonte në mërgim pas rebelimit të tij të dështuar muajin e kaluar.

Prezenca e vazhdueshme e kryekomandantit në Rusi tregoi se Prigozhin mbetet një pjesë e rëndësishme e strukturës së Kremlinit, nga e cila presidenti Vladimir Putin ka rezultuar ngurrues ose i paaftë për ta shkëputur.

Prigozhin u fotografua duke shtrënguar duart me Freddy Mapouka, shefi i protokollit për presidentin e Republikës së Afrikës Qendrore Faustin-Archange Touadera.

Fotoja është postuar nga Dmitry Syty, një nga figurat më të dukshme të Wagner-it, në llogarinë e tij në Facebook.

Syty, drejtor i një qendre kulturore ruse në kryeqytetin e Republikës së Afrikës Qendrore (CAR), Bangui, është goditur me sanksione nga SHBA-të, BE-ja dhe Britania e Madhe, si një nga disa shtetas rusë aktivë me lidhje me Prigozhin.

Referuar mediave të atjeshme, fotografia është shkrepur në një hotel në qendër të Shën Petersburgut në pronësi të familjes së Prigozhin, për të cilën tha se ishte rezervuar për të tre ditët e samitit.

Lajmet që më parë ishin pjesë e perandorisë mediatike të Prigozhin – fati përfundimtar i së cilës, si i Wagner-it, mbetet i paqartë – pretenduan se Prigozhin u takua gjithashtu me zyrtarë nga Mali dhe Nigeria, ku një përpjekje për grusht shteti që filloi të mërkurën kërcënoi të largonte presidentin pro-perëndimor Mohamed Bazoum.

Prigozhin ra dakord të zhvendosej në Bjellorusi muajin e kaluar pasi presidenti i saj, Alexander Lukashenko, ndërmjetësoi një marrëveshje për t’i dhënë fund rebelimit të grupit kundër ushtrisë ruse, të cilën Prigozhin e ka akuzuar për keqmenaxhim të përpjekjeve të luftës.

Por ai ka kaluar një kohë të konsiderueshme që nga Rusia dhe madje është takuar me Putinin në një tryezë të rrumbullakët në Kremlin.

Javën e kaluar Prigozhin ka thënë se Wagner “do të mblidhte forcën dhe do të nisej për në Afrikë’ pasi të largohej për në mërgim në Bjellorusi.

Rebelimi i tij kishte vënë në pikëpyetje nëse Wagner mund të vazhdonte të luftonte si mercenarë për qeveritë miqësore me Moskën në vende të tilla si CAR dhe Mali.

Por Rusia ka siguruar CAR se mercenarët do të vazhdojnë aktivitetin e tyre në numrin e nevojshëm dhe të kërkuar.

Wagner, një organizatë dikur sekrete e drejtuar kryesisht nga inteligjenca ushtarake e Rusisë, ka qenë pjesë e rëndësishme e projeksionit të fuqisë së Kremlinit në Afrikë, duke dërguar mercenarë për të luftuar në disa vende.

CAR ka qenë vitrina më e madhe për përpjekjet e Wagner-it në kontinent.

Touadera ia detyron mbijetesën e tij luftëtarëve Wagner që mbërritën në vitin 2018 për të udhëzuar ushtrinë e vendit të tij dhe ndihmuan në pengimin e një rebelimi në tentativë dy vjet më vonë.

Vendi i varfër që atëherë është bërë një mjet për ambiciet afrikane të Rusisë në kontinent.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore