Lajme

Pretendimi i Dodik-ut: ShBA po ndjek politikë anti-serbe


Presidenti i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik.

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zyrtarëve të lartë të RS-së, përfshirë edhe ato ndaj tij, nuk janë të lehta, ndërsa pretendoi se ShBA “po ndjek një politikë anti-serbe”.

“Ata vendosën të marrin masa rigoroze ndaj RS. Kjo ishte një nga temat që diskutuam, për sanksionet jo të thjeshta dhe jo të lehta, të cilat vijnë nga një nga vendet më të mëdha në botë, që udhëheq një politikë anti-serbe, aq sa edhe sot ruan një status negativ drejt RS dhe Serbisë. Filloi me shpërbërjen e Jugosllavisë para kësaj”, pretendon ai, transmetojnë mediat boshnjake.

Sipas tij, SHBA-të “nuk janë garantues i vetëm i Marrëveshjes së Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995)”.

“Por ata po përpiqen anash të sjellin Serbinë dhe RS-në në anën negative gjatë gjithë kohës. Jemi këtu për të shënuar kujtimin e viktimave në “Stuhi”. Kroatët e asaj kohe nuk e kishin problem të përsërisnin përvojën historike dhe e përsëritën në vitin 1995, ku u vranë nëntë civilë dhe katër fëmijë. Askush nuk ishte përgjegjës për këtë”.

Ndërkaq, ai duke iu referuar zyrtarëve të lartë të Bosnje e Hercegovinës potencoi se “disa në Sarajevë mendojnë se janë në krye të të gjithë Bosnjës dhe Hercegovinës”.

“BeH përbëhet nga dy njësi. Sovraniteti i Republika Srpska në territorin e 49 për qind të BeH ose 25 mijë kilometra katrorë është i padiskutueshëm. RS ka pushtetin e vet ekzekutiv dhe është përgjegjës për atë zonë”, pohoi Dodik.

Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se shteti që ai udhëheqë nuk do t’i njohë sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit ndaj liderëve të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, duke shtuar se ata do të jenë gjithmonë të mirëpritur në Serbi dhe se do të vazhdojë të bashkëpunojë me ta.

Këto komente ai bëri pas mbledhjes së Këshillit për Bashkëpunimit në mes të Serbisë dhe RS-së, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin ultra-nacionalist të RS-së, Millorad Dodik.

Serbia, pohoi Vuçiç, “është kundër sanksioneve sepse ato gjithmonë prodhojnë efekte të gabuara”.

“Ne i konsiderojmë sanksionet kundër lidershipit të RS si të papërshtatshme dhe të pamerituara, dhe në përputhje me rrethanat, pavarësisht se jemi një vend i vogël dhe një popull i vogël, veçanërisht në krahasim me një fuqi kaq të madhe si ShBA, nuk kemi zgjidhje tjetër, dhe në përputhje me rrethanat, Republika e Serbisë ndaj personave të sanksionuar do të sillet sikur të mos ekzistojnë sanksionet”.

Ndryshe, të hënën Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviç, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Srpska, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes të arritur në Dejton më 1995 (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH), thuhet në njoftimin e Ambasadës së ShBA-së në Sarajevë.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Srpska, Nenad Stevandiç, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviç dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Srpska, Millosh Bukejlloviç.

Sipas thesarit amerikan zyrtarët e sanksionuar janë drejtpërdrejtë përgjegjës për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Srpska për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës si të pavlefshme në këtë entitet. Me këtë veprim, sipas SHBA-së, ata kanë kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

“Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe paqes të fituar me mund të mbështetur nga Marrëveshja e Dejtonit. Kjo sjellje kërcënon më tej trajektoren e të ardhmes së shtetit dhe integrimit të suksesshëm në institucionet euroatlantike”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Financimin e Inteligjencës, Brian E.Nelson.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin e Bosnje e Hercegovinës në përpjekjet e tyre për sundim të ligjit dhe të sigurohemi që paqja dhe prosperiteti të mbizotërojnë”, shtoi ai

Presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik, ka sponsorizuar ligjin që i shpallë të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore