Film

“Prestigji i Tesla-s”


“Audienca e di të vërtetën: bota është e thjeshtë. Është mizëri, e ngurtë tërë jetën. Por nëse ia del t’i mashtrosh, qoftë dhe për një sekondë, atëherë mund t’i çudisësh dhe të shohësh diçka me të vërtetë të veçantë”, thotë Robert Angier (Hugh Jackman), në filmin “The Prestige”.

Regjisori i një filmi, sikurse autori i një novele, bëhet një lloj magjistari, duke performuar aktet e zhdukjes, magjisë, habisë dhe tragjedisë. Ai shndërrohet edhe vetë në metaforë, jo si metaforë për fshehjen e të vërtetës, por sepse metafora është mister.

“Ka metafora, të cilat janë më reale edhe se njerëzit që ecin rrugës”, thotë Fernando Pessoa.

Metafora ndërton lidhjen e menjëhershme me diçka që perceptohet dhe nuk kërkon interpretim, gjersa alegoria dallon në atë se niset nga koncepte abstrakte dhe shpik diçka të prekshme për ta përfaqësuar ose reprezentuar. Alegoria kërkon shpjegim para se të ndërtojë plotkuptimësinë e saj, metafora godet në çast dhe transmeton kuptimin e saj.

“Secili truk magjie ka tri hapa”, thotë personazhi i Michael Caine-it në filmin “The Prestige” që janë: “Zotimi, Kthesa, Prestigji”.

Zotimi është një lloj premtimi, të cilin magjistari ia bën publikut.

Kthesa është një lloj peripecie aristoteliane, që kthen përmbys pritjet e audiencës, duke shkaktuar kureshtjen në thyerjen e kursit të ngjarjeve.

Kurse, Prestigji, akti final, është përmbushja “e zotimit”, përmbushja e premtimit të magjisë origjinale, sikurse është rasti i zhdukjes/rishfaqjes së magjistarit në skenë.

Por pse shfaqet Nikola Tesla (David Bowie) në filmin “The Prestige”? A është edhe ai një metaforë e përdorur si magjistari (inxhinieri) shkencor i botës moderne? Që performon aktin e fundit magjik “prestigjin”? Apo thjesht duhet të shihet si një idollizim cheap i një shkencëtari të çuditshëm?

Transmetimi elektromagnetik i valëve, transmetimi pa tela, televizioni, origjinën konceptuale e gjen në shpikjet dhe projeksionet e Tesla-s. Ai e kishte parashikuar që secila shtëpi do të kishte kuti magjike televizive nëpër shtëpitë e tyre.

Dhe lehtë mund të kapin trinitetin metaforik të “zotimit, kthesës, prestigjit”, në “kutitë magjike” nëpër shtëpi. Metafora, në kuptimin origjinal dhe joalegorik, si metapherein, është “transferim, bartje, transmetim”.

Tesla i thotë Angier-it “kërkesat e njeriut tejkalojnë mundësitë e tij? Kjo është gënjeshtër. Mundësitë e tij në fakt tejkalojnë nervat e njeriut. Të vetmet limite në shkencë janë ato që imponon shoqëria. Herën e parë e ndryshova botën. Më lartësuan si vizionar. Herën e dytë? Më thanë të penzionohem. Bota toleron vetëm një ndryshim. Dhe ja ku jam. Duke shijuar ‘pensionimin’”.

Caine thotë se makineria magjike e multiplikimit të njerëzve që Angier-i e përdor në mënyrën më dëshpëruese për të mundur kundërshtarin e tij magjistar, është ndërtuar nga një magjistar i vërtetë (shkencëtar).

Nëse magjistarët bëjnë vetëm interpretime, Tesla bënte atë që magjistarët vetëm pretendonin të bënin, magji të vërtetë – shkencë.

A është shkenca “Zotimi, Kthesa, Prestigji i vërtetë i botës moderne”, apo edhe kjo është një truk magjik, të cilin Nolan-i e luan me audiencën (neve)?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore