Kosova

Presidenca çeke për AP: Aplikimin e Kosovës për anëtarësim do ta pranojë zyrtarisht ministri Mikulas Bek


Albin Kurti

Kosova do të dorëzojë këtë të enjte zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe dokumentacioni formalisht do të pranohet nga ministri për Çështje Evropiane i Republikës së Çekisë, Mikulas Bek, ka thënë për Albanian Post Eva Hrniçirova, zëdhënëse e Delegacionit të Përhershëm të Republikës së Çekisë në Bashkimin Evropian.

Dorëzimi i aplikimit do të bëhet në Pragë nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Është planifikuar edhe një konferencë për media rreth orës 13:00”, ka thënë Hrniçirova në një përgjigje të shkurtër për AP-në.

Arsyeja e dorëzimit të aplikimit në Pragë është se Republika e Çekisë ka presidencën deri në fund të vitit, me sistemin e rrotacionit që funksionon në Bashkimin Evropian.

Pas Çekisë, presidenca i kalon Suedisë dhe më pas Spanjës. Varësisht se kush e ka presidencën vendosë edhe të përcaktojë agjendën në Këshillin Evropian, institucionin më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, prandaj është shumë e rëndësishme që raportet me shtetin e caktuar të jenë të mira.

Çekia gjatë kohës sa ka mbajtur presidencën është treguar shumë bashkëpunuese me Kosovën dhe ishte kjo presidencë që shty në agjendë disa herë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Njoftimin për udhëtimin e Kurtit drejt Çekisë e kanë konfirmuar edhe nga Zyra për Media e kryeministrit të Kosovës.

“Kurti ka udhëtuar për në Pragë të Republikës së Çekisë” thuhet në njoftim duke konfirmuar se “gjatë qëndrimit të tij, ai fillimisht do të zhvillojë një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavský” dhe pastaj “Kurti do të pritet nga ministri për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulash Bek”.

Të mërkurën Kurti, bashkë edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ka nënshkruar solemnisht aplikimin e Kosovës.

Aplikimi për anëtarësim në BE është një nga zotime që kishte përmendur Qeveria edhe në programin qeverisës.

Duhet sqaruar se aplikimi në vetvete nuk përbën ndonjë zhvillim tejet të rëndësishëm, nëse ky aplikim nuk përcillet me një diplomaci agresive që në të ardhmen të bëhet pjesë e agjendës për diskutim nga Këshilli.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore