Lajme

Pranim-dorëzimi i detyrës kryeministrore – Xhaferi e Kovaçevski lënë gjurmët e para të historisë në Shkup


Dimitar Kovaçevski dhe Talat Xhaferi

Pasi mori besimin e 65 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut të dielën, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), Talat Xhaferi, i cili për një kohë drejtoi edhe legjislativin maqedonas, këtë të hënë në ora 10:00 do ta pranojë detyrën e kryeministrit nga Dimitar Kovaçevski.

Ky i fundit pati dhënë dorëheqje nga drejtimi i Qeverisë bazuar në ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare të emërohet një qeveri teknike që do të përkujdeset për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Ndërsa pas ceremonisë së pranim-dorëzimit të detyrës, Kovaçevski e Xhaferi pritet të mbajnë një konferencë për media dhe më pas do të dalin edhe për shëtitje në Shkup, ndërsa Xhaferi do të udhëheq qeverinë teknike deri në organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut, të cilat janë planifikuar të mbahen më 8 maj.

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut deklaroi të dielën gjatë seancës se do ta ruajë dhe avancojë kursin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut, ku ndër prioritet e qeverisjes teknike do të mbetet veçanërisht bashkëpunimi midis Bashkimit Evropian (BE), Aleancës Veri-Atlantike (NATO) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Duke marrë parasysh që kjo qeveri është vazhdim i qeverise paraprake, unë dhe qeveria që do të udhëheq do të vazhdojë aplikimin e politikave të kaluara. Puna e qeverisë do të zbatohet në parimin e respektimit të plotë të ligjeve, përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta parlamentare”, nënvizoi Xhaferi në hyrje të ekspozesë së qeverisjes teknike.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut

“Avancimi i lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në, aleancën e NATO-s dhe SHBA-në, përfshirë zbatimin e plotë të parimeve dhe vendimeve të marrëveshjeve të rëndësishme për marrëdhëniet ndër-etnike, kohezionin dhe stabilitetin e brendshëm, drejt integrimit të suksesshëm euro-atlantik, do jenë prioritetet e qeverisjes teknike”, shtoi Xhaferi.

Po ashtu Xhaferi theksoi se ekzekutivi që ai do drejtojë, do të mbetet i fokusuar në agjendën evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe uljen e inflacionit.

“Qeveria do të mbetet e përkushtuar në planin për rritje ekonomike, që është pjesë e planit për zgjerimin e Bashkimit Evropian…Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të ndalet. Do të jemi transparent në punën tonë dhe me financat publike”.

Kurti, Xhaferit: Do ta vazhdojmë bashkëpunimin si me Kovaçevskin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dedikuar një urim të zbehtë Talat Xhaferit që u zgjodh kryeministër i Maqedonisë së Veriut, derisa ka shtuar se Xhaferit i dëshiron suksese në detyrën e tij të re.

“Një Maqedoni e Veriut me orientim të fortë euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës e fijeve të saj, një Maqedoni e Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik, është ajo që dëshirojmë”, shkroi Kurti në Facebook.

“Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”.

Kurti ka potencuar tutje se miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta, “uroj të jenë shënjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”.

Albin Kurti dhe Talat Xhaferi

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se zgjedhja e Xhaferit kryeministër është moment historik.

“Sot shënon një moment historik të rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoni të Veriut, duke reflektuar kontributin e tyre jetik në shtetësinë e vendit dhe rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar Osmani në platformën X.

Xhaferin e kanë uruar edhe liderët e partive opozitare në Kosovë, derisa ky i fundit pati bërë histori edhe kur u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, edhe aty ishte i pari shqiptar ndonjëherë.

Kush është Talat Xhaferi?

Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill të vitit 1962 në fshatin Forinë afër Gostivarit – komunë e banuar me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Shkollimin fillor e kreu në fshatin Çegran, ndërsa pas kësaj shkoi në Beograd, ku kreu gjimnazin ushtarak.

Ai studioi në Akademinë Ushtarake të Tokës Këmbësorike të Ushtrisë Popullore Jugosllave në Beograd dhe Sarajevë dhe u specializua në detyra komanduese dhe të stafit në Akademinë Ushtarake “Gjenerali Mihailo Apostolski” në Shkup. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ishte një oficer i ushtrisë jugosllave dhe prej vitit 1992 deri në 2001 ishte oficer i Armatës së Republikës së Maqedonisë.

Gjatë luftës në Maqedoni të Veriut në vitin 2001, Xhaferi ishte në fillim një oficer i lartë në ushtrinë maqedonase, për t’iu bashkuar më pas me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), dhe u bë komandanti i saj i Brigadës 116 me nofkën e “komandant Forina”, nga vendlindja e tij.

Talat Xhaferi

Xhaferi u zgjodh deputet për herë të parë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2002, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Gjatë viteve 2004-2006 ishte zëvendësministër i Mbrojtjes

Ndërsa, nga viti 2008 deri në vitin 2013 Xhaferi ishte vetëm deputet.

Në vitin 2013 Xhaferi u emërua nga BDI Ministër i Mbrojtjes në kabinetin e Nikola Gruevskit. Emërimi i Xhaferit shkaktoi protesta nga ana e maqedonasve për shkak se kishte qenë komandant i UÇK-së.

Në prill të 2017-së, Xhaferi u zgjodh kryetar i parlamentit maqedonas nga një koalicion i partive shqiptare dhe partisë Socialdemokrate opozitare maqedonase në atë kohë (LSDM), për çka ishin shkaktuar trazira në ndërtesën e parlamentit.

Në të njëjtën pozitë Xhaferi do të rizgjidhej në vitin 2020, derisa nga kjo e hënë ai do të jetë kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore