Lajme

Portugalia rihap shkollat, baret dhe muzetë


Portugalia ka filluar të lehtësojë kufizimet e saj ndaj Covid-19, të hënën e 5 prillit, duke rihapur shkollat, baret dhe muzetë.

500 mijë nxënës deri në moshën 15 vjeç u kthyen në klasa të hënën, që kur Portugalia hyri në bllokim në janar.

Ndërsa nxënësit e shkollës fillore ishin rikthyer në shkollë më 15 mars.

Tarracat e kafeneve dhe restoranteve u rihapën me kushtin që vetëm katër persona mund të ulen së bashku.

Ndërkohë, muzetë, monumentet kombëtare, dyqanet e vogla buzë rrugës dhe palestrat hapën dyert e tyre, por me një kapacitet të kufizuar dhe rregulla të rrepta.

Sidoqoftë, disa muze kanë deklaruar se nuk presin shumë vizitorë pasi shumë turistë të huaj ende janë të ndaluar të hyjnë në vend.

Fluturimet nga Brazili dhe Mbretëria e Bashkuar mbeten të pezulluara, për të kufizuar përhapjen e varianteve të reja të coronavirus-it.

Ndërsa disa kontrolle kufitare tokësore midis Portugalisë dhe Spanjës janë zgjatur deri në mes të prillit.

Pas një rritje të papritur të rasteve në janar, Portugalia u bë vendi më i goditur në botë për nga madhësia e popullsisë, duke bërë që qeveria të vendosë një bllokim të dytë kombëtar.

Por niveli i infektimeve për 14 ditë me Covid-19, për 100 mijë njerëz, tani ka rënë në 63. Ndërsa në janar ka regjistruar deri në 1 mijë e 628 raste.

Vendimi i qeverisë për të kthyer nxënësit e shkollave të mesme në klasa, bazohet në shqyrtimin masiv dhe një plan vaksinimi për mësuesit.

Nëse situata vazhdon të përmirësohet, shkollat ​​e mesme, universitetet dhe teatrot do të rihapen më 19 prill.

Që nga fillimi i pandemisë, Portugalia ka regjistruar 16 mijë e 879 vdekje dhe 823 mijë e 355 raste pozitive të konfirmuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore