![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2024/07/1719818750_kadare.jpg)
Politika shqiptare ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare.
Për Presidentin e Republikës Bajram Begaj, Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.
“Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”, shkruan ai në Facebook.
Ndërsa, kryeparlamentarja Lindita Nikolla vlerëson veprën e shkrimtarit Ismail Kadare
“Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe. Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”.
Gjithashtu dhe deputeti democrat Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta ditën e sotme të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare.
“Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë”, shkruan Basha në një reagim në rrjetet sociale, ndërsa shton se kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com