Shqipëria

Policia procedon një shtetas pas helmimit të dhjetëra banorëve në Bulqizë


Autoritetet shqiptare kanë proceduar në gjendje të lirë një shtetas 64-vjeçar, duke e akuzuar për ndotjen e ujërave pas helmimit të dhjetëra banorëve në Bulqizë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Kadri Muça, 64 vjeç, banues në Peshkopi, Dibër, për veprën penale ‘Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës'”, thekson njoftimi zyrtar i Policisë.

Sipas veprimeve hetimore, ka rezultuar se për shkak të montimit të një tubi plastik, nga 64-vjeçari, ujërat e pijshëm të fshatit Gjoricë, ishin përzier me ujërat e zeza të këtij fshati.

Si përfundim, kjo kishte shkaktuar edhe helmimin nga uji, të disa banorëve të këtij fshati.

Gjatë dy ditëve të fundit, në qendrën shëndetësore të Gjoricës në Bulqizë janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore mbi 30 persona të cilët kanë shfaqur simptoma helmimi.

Autoritetet në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit nisën hetimet për të zbuluar shkaqet e helmimit.

“Sqarojmë se as gjatë ditës së djeshme dhe as ditën e sotme, në Komisariatin e Policisë Bulqizë nuk ka ardhur asnjë njoftim, nga banorët apo personeli i qendrës shëndetësore”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Nga ana tjetër, mësohet se banorëve iu është kërkuar që të mos konsumojnë ujin për momentin nga rrjeti i ujësjellësit, derisa situata të zgjidhet nga organet përgjegjëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore