Shqipëria

Policia greke bllokon skemën e trafikimit të emigrantëve, kalonin në këmbë përmes Shqipërisë


Policia greke gjatë një operacioni ka arritur të vërë në pranga 15 persona nga rrjeti i trafikimit të emigrantëve nga Greqia drejt vendeve të huaja, të cilët kalonin përmes Shqipërisë dhe Italisë.

Aktualisht në kërkim janë edhe gjashtë persona të tjerë me kombësi të huaj.

Sipas policisë, skema u siguronte emigrantëve të paligjshëm dokumente false, kundrejt një pagese që varionte nga 600 deri në 10 mijë euro.

Anëtarët e grupit komunikonin me njëri-tjetrin përmes rrjeteve sociale me gjuhë të koduar.

Si funksiononte grupi?

Transporti i emigrantëve të paligjshëm kryhej përmes tre formave të ndryshme, atë ajror, detar dhe tokësor përmes një rruge që kalonte nga Shqipëria në drejt vendeve të tjera europiane.

Në rrugë detare, anëtarët e grupit, zgjidhnin udhëtimin me traget nga Greqia në Itali kundrejt pagesës nga 600 deri në tre mijë euro.

Përmes ajrit ata udhëtonin nga aeroporti i Athinës, duke dorëzuar dokumentet e falsifikuara. Vlera që ata duhet të paguanin, ishte nga katër mijë e 500 deri në 10 mijë euro.

Ndërsa në rrugë tokësore kalimi bëhej përmes Shqipërisë dhe transporti bëhet me makina ose autobusë.

Skema e tyre kishte parashikuar që kalimi i pikave kufitare bëhej në këmbë me qëllim shmangien e kontrolleve.

Policia arriti të konfiskojë 1 mijë e 613 pasaporta dhe ID të personave që transportoheshin ilegalisht, 13 mijë e  605 euro, 42 telefona celularë dhe makina.

Gjatë kontrollit u zbuluan edhe dy apartamente në qendër të Athinës, ku ishin vendosur dy laboratorë, me pajisjet e nevojshme për përgatitjen e dokumenteve të falsifikuara.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore