Shqipëria

Policia arreston kreun e bandës së Shijakut, Astrit Avdyli


Policia e Shtetit ka bërë më dije se ka arrestuar Astrit Avdylin, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare – i akuzuar si drejtuesi i grupit të Shijakut.

Arrestimi i tij erdhi nga një urdhërarrest i firmosur nga GJKKO në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Nga 50 urdhër-arrestet e firmosura nga ky operacion ishin ekzekutuar vetëm 20.

Konkretisht: 14 në Shqipëri dhe gjashtë jashtë vendit.

Vëllezërit Avdyli, Shkëlqim, Jasin, Astrit dhe Altin akuzohen për vrasje, prostitucion, trafik droge dhe disa vepra të tjera penale.

Avdyli së bashku me të tjerë, ishte arrestuar gjatë operacionit “Vol-vo 4”. Në shënjestër në vitin 2018, kur operacioni u zhvillua, ishin katër grupe kriminale.

Pjesëmarrëse, ishte edhe ajo e njohur si banda e Avdylajve.

Rreth 182.5 kg heroinë u sekuestruan në laboratorin e Brenogës në Has, si pjesë e dosjes.

Më pas ai u lirua nga arresti, për t’u dënuar sërish me 12 vite burg nga GJKKO.

Operacioni Revanshi

SPAK njoftoi se ka lëshuar 50 urdhër-arreste për personazhe të krimit të organizuar, por edhe figura që dikur i përkisnin jetës politike dhe Policisë së Shtetit.

Përpos pasurive të sekuestruara dhe akuzave zyrtare SPAK ka ndarë me publikun edhe aleancat mes grupeve kriminale për të goditur rivalët.

Kështu shkruhet se grupi i Ervis Martinajt kishte lidhur aleancë me grupin e Arben Ndokës (ish-deputet i Partisë Socialiste).

Martinaj kërkonte të vriste Fatmir Hysenin nga Vlora pasi ky i fundit akuzohej për atentatin që i mori jetën Santiago Malkos, i cili ishte krahu i djathtë i Martinajt.

Më tej thuhet se Martinaj ka kërkuar bashkëpunimin e grupeve të tjera për të eliminuar Durim Bamin, një tjetër person i dyshuar për disa ngjarje kriminale.

Për këtë ai bashkohet me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga ish-deputeti socialist.

Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit.

Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale  kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit.

Grupit të Ervis Martinajt i janë bashkuar edhe njerëzit e Emiljano Shullazit, i cili ndodhet në burg.

Po ashtu i është bashkuar edhe Aldo Avdylaj, vëllai i Astrit e Altin Avdylaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore