Kosova

Plenkoviç e Lajçak flasin për dialogun Kosovë-Serbi


Andrej Plenkoviç dhe Miroslav Lajçak

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në margjinat e Forumit të Dubrovnikut, është takuar me të Dërguarin Special të Dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin ka diskutuar edhe për procesin që diplomati sllovak e fasiliton.

Lajmi u bë i ditur nga Plenkoviç, përmes një postimi në platformën X, të shtunën.

“Diskutuam situatën politike në Evropën Juglindore dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Plenkoviç.

Përveç Lajçak-ut, kryeministri kroat, të shtunën është takuar edhe me Ndihmës-sekretarin Amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien.

“Konfirmuam marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe. Ne vazhdojmë bashkëpunimin strategjik në fushën e mbrojtjes dhe energjisë dhe dialogun cilësor për një sërë çështjesh ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen e fortë për Ukrainë”, potencoi kreu i ekzekutivit kroat.

Ndryshe, të mërkurën u zhvillua raundi i ri i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, i cili nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Ndonëse ishte paralajmëruar, nuk pati takim në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për shkak se Kurti paraprakisht paraqiti tri kushte.

Takimet liderët e Kosovës dhe Sebrisë i zhvilluan vetëm me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili shoqërohej nga Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore