Shqipëria

Plani i masave nga Ministria e Shëndetësisë: Kush njollos bluzën e bardhë, largohet përjetë


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu njoftoi sot në një takim me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndryshimet ligjore të ardhura si reagim i menjëhershëm nga ngjarja tek Onkologjiku.

Koçiu bëri të ditur se pas një pune intensive për disa ndërhyrje të shpejta dhe kuptimplota në ligjin e Urdhërit të Mjekëve, është vendosur që të ketë ndryshime.

Hapja apo puna në një klinikë private për mjekët e sektorit publik do të vazhdojë deri në momentin kur spitali përkatës do të përfundojë procesin e autonomisë dhe me marrjen e autonomisë kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar.

Mjekët e punësuar në sektorin publik që kanë hapur apo punojnë në klinika private, si edhe ata qe do te duan ta bëjnë këtë më tutje, duhet të marrin një autorizim/leje nga titullari i spitalit ku janë të punësuar.

Koçiu tha se do të ndalohet ligjërisht që një mjek të ndjekë të njëjtët pacientë në klinikën private që ka hapur vetë apo që punon aty. Një mjek i cili ndjek pacientë në klinikat shtetërore është në konflikt të hapur interesi nëse kërkon që po këta pacientë të vijnë në klinikën private që ai ka hapur vetë apo punon aty.

Koçiu deklaroi se mjekët që kanë hapur dhe/ose punojnë në klinika private nuk do të mund të mbajnë asnjë funksion drejtuese të asnjë niveli në spitalet publike apo në Universitetin e Mjekësisë. “Historia e transferimit të pacientëve në klinikën private nga drejtuesit e shërbimeve publike do të mbarojë menjëherë sapo të miratohet ky ndryshim ligjor”, deklaroi Koçiu.

Gjithashtu, shkelja e rregullit që drejtuesit publike nuk mund të kenë klinika private apo të punojnë në to përveç shkarkimit nga funksioni dhe gjobës domethënëse për mjekun, si dhe gjobës gjithashtu për klinikën private, do të mund të çoje deri në ndalimin e aktivitetit për të dyja palët për afate të caktuara.

“Mosdeklarimi transparent në kërkimin e autorizimit/lejes për punësim në privat do të çojë në heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit për afate të caktuara. Shkelja e etikës (betimit të hipokratit) dhe të protokolleve mjekësore, kur nuk ka shkaktuar pasoja do të çojë në ndalimin e kryerjes së disa shërbimeve mjekësore dhe deri në heqjen për afate të caktuara të licencës së ushtrimit të profesionit”, u shpreh ministrja.

Koçiu tha se, shkelja e protokollit mjekësor, kur ka shkaktuar pasoja të lehta do të çojë, përveç pasojave që burojnë nga ndëshkimi i drejtësisë edhe në heqje të licencës së ushtrimit të profesionit për një afat shumë domethënës.

Gjithashtu shkelja e protokollit mjekësor, kur ka shkaktuar pasoja të rënda do të çojë përveç pasojave që burojnë nga ndëshkimi i drejtësisë edhe në ndalimin e aktivitetit të mjekut për gjithë jetën.

Konkretisht, sipas kësaj pike të fundit, theksoi ajo, individëve që njollosin institucionin, duke shkelur çdo normë e parim jo thjesht profesional, po edhe human, përveç ndëshkimit të merituar nga drejtësia do t’u ndalohet ta veshin bluzën e bardhë për gjithë jetën.

Ministrja shprehu bindjen se propozime të ngjashme të përshtatura do të bëhen edhe për profesionet e tjera.

Koçiu theksoi se disa nga afatet për masat e shkeljeve janë të pacaktuara pasi bashkë me masat janë ende në diskutim edhe për pak ditë. Në konsultim do të përfshihen edhe përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore jo vetëm publike, përpara sesa qeveria të vendosë miratimin e tyre jo me vonë sesa java e tretë e korrikut.

Koçiu përshëndeti punën e Prokurorisë që hodhi dritë mbi ngjarjen tek Onkologjiku dhe  shprehu besimin që ata individë do të marrin dënimin e merituar.

Ministria shprehu keqardhjen për bluzat e bardha të përkushtuar dhe të devotshëm, për plagosjen e rëndë morale nga kjo ngjarje, siç e quajti ajo “neveri të madhe”, teksa deklaroi se “shumica e bluzave të bardha nuk janë si ata”.

“Ndërkohë që çuarja përpara drejtësisë e atyre individeve shkuli një tumor korrupsioni dhe harbutllëku ekstrem nga Onkologjiku, ne, Ministria e Shëndetësisë dhe Stafi drejtues i QSUT-së duhet të reagojmë duke ndërmarrë masa e hapa konkretë, që në ketë institucion qendror të shërbimit shëndetësor të mos ketë hapësirë për njerëz e praktika abuzive të asnjë natyre”, deklaroi ajo.

Skandali te Onkologjiku/ Rama: Është krim kundër njerëzimit, Koçiu prezanton masat

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore