Lajme

Petritsch i sigurt se Asociacioni s’do jetë një Republikë Sërpska: Kosova do ta shtrijë kontrollin në pjesën veriore


Wolfgang Petritsch

Wolfgang Petritsch, diplomati austriak dhe ish i dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën,ka shprehur bindjen e tij se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të jetë një Republikë Sërpska, ndërsa ka shtuar se Kosova, nëpërmjet këtij mekanizmi, do të kontrollojë pjesën veriore të territorit të banuar me shumicë serbe.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” të enjten, diplomati austriak ka thënë se shqetësimet gjithmonë janë të bazuara, por në të njëjtën kohë, duhet të tejkalohen në formën ligjore dhe në aspektin praktik, duke siguruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të jetë i njëjtë sikurse entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Bashkësia ndërkombëtare ka mësuar se një zgjidhje e tillë nuk i shkon për shtat një shteti, sikur në rastin e Bosnjës. Prandaj, të jeni të sigurtë se nuk do të ketë një Republikë Serbe në Kosovë. Por besoj se pakicat serbe në Kosovë duhet dhënë të drejta kulturore, disa aspekte ekonomike dhe të drejta të tjera në arsimim, shëndetësi”, ka thënë ai.

Duke komentuar mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së, diplomati austriak ka shprehur skepticizmin e tij se do të ketë përparim të shpejtë në këtë drejtim, derisa ka bërë thirrje për të finalizuar dhe për të zgjidhur çështjet e fundit të rëndësishme që mbesin ende të hapura në Ballkanin Perëndimor.

“Duhet ta kuptojmë që këto zhvillime po ndodhin në një ambient të ndryshuar drastikisht për Evropën në aspektin gjeopolitik. Tek fqinjët e Evropës, në Ukrainë dhe në Lindje të Mesme, tani po ndodhin dy luftëra ndërkohë që ende nuk i kemi zgjidhur suksesshëm çështjet në rajonin pranë nesh, në shtetet që tashmë duhej të ishin pjesë e BE-së por që ende janë larg”.

Perëndimi deri më tani nuk ka arritur të gjejë rrugën për t’i bindur palët që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Pikërisht për shkak të një sasie të çështjeve të mbetura pezull, një cikël i ri në procesin e dialogut është zhvilluar të enjten e 16 nëntorit në kryeqendrën politike evropiane, por pa rezultate të prekshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore