Kosova

Petkoviçi e quan Sveçlën “mburravec” të rrjeteve sociale


Petar Petkoviç

Petar Petkoviç, drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën pasdite, ka reaguar pas paralajmërimit të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë që nëse presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tenton të futet në Kosovë pa njoftuar autoritetet kosovare, do të arrestohet.

Në pjesën veriore të Kosovës janë shfaqur posterë luftënxitës nën mesazhin “komandant suprem, jemi duke të pritur” dedikuar presidentit të Serbisë. Sveçla ka paralajmëruar gjatë ditës se nëqoftëse Vuçiçi i dëgjon thirrjet e serbëve dhe niset pa kërkesë zyrtare për vizitë në Kosovë, do të arrestohet.

“Sveçla ka frikë edhe nga posteri me imazhin e Vuçiçit që dikush e ka ngjitur atje, kështu që ai kërcënon se do ta arrestojë! E vetmja gjë që mund të bëjë është të mburret në rrjetet sociale!”, ka shkruar korrieri i propagandës serbe.

Në disa lokacione në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe janë shpërndarë posterë me fotografinë e presidentit serb. Kjo nuk është hera e parë që mesazhe të tilla shfaqen në këtë zonë, në kohën kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë ngritur në nivele shpërthyese.

Nëse Vuçiç futet në Kosovë pa leje, do arrestohet, thotë Sveçla

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore