Lajme

Petkoviç e cilëson “provokim” vizitën e Kurtit në veri, kërkon “llogari” nga KFOR-i dhe EULEX-i


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, konsideroi se një ditë para ciklit të ri të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi të ngrejë tensione të reja, kur vizitoi gjatë ditës Leposaviqin dhe Zubin Potokun – dy komuna të banuara me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Petkoviçi e cilësoi “provokim” vizitën e kreut të ekzekutivit kosovar në këtë zonë të banuar kryesisht nga serbë etnikë, ndërsa akuzoi KFOR-in dhe EULEX-in që e lejuan. Madje, korrieri kryesor i propagandës serbe e cilësoi “okupator” kryeministrin e Kosovës që shfrytëzoi një të drejtë kushtetuese, duke shtuar se ai nuk është i mirëpritur në mesin e serbëve lokalë.

“Kurti s’ka çfarë të kërkojë në veri, ku nuk është i mirëpritur. Fakti që i gjithë Leposaviqi u bllokua kur ai shkoi në ndërtesën e komunës, ku e priste kryetar i rremë, dëshmon se për çfarë demonstrimi të forcës bëhet fjalë. Gjithashtu, fakti që të gjitha rrugët janë bosh në Leposaviq dhe Zubin Potok tregon se populli serb shfaq përbuzje ndaj provokimit të Kurtit”, pretendoi ai.

“Por shtrohet pyetja se kush e miratoi vizitën e Kurtit në veri dhe në çfarë mënyre, kush nga përfaqësuesit ndërkombëtarë është informuar – nëse KFOR-i dhe EULEX-i e ndihmuan dhe dhanë pëlqimin për këtë provokim?”, shtoi ndër të tjera Petkoviçi, i cili të enjten pritet të udhëtojë në Bruksel të Belgjikës për të vazhduar ciklin e ri të negociatave për dinarin serb.

Ndryshe, kjo është vizita e parë e shefit të Qeverisë së Kosovës prejse nisën tensionet në veri vitin e kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimit të serbëve lokalë që pastaj eskaloi në protestë të dhunshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore