Lajme

Përjashtimi i komunitetit beduin nga projekti i energjisë diellore, “padrejtësi”


Përjashtimi i autoritetit të tokës izraelite të komunitetit beduin nga një projekt kritik i energjisë diellore mund ta mbajë atë jashtë industrisë për vite me radhë.

Projekti pilot pritet të shërbejë si një model për përpjekjet e ardhshme të energjisë diellore të Izraelit, kështu që përjashtimi i beduinëve është kritik.

Pjesëmarrja e fshatrave beduin në rajonin jugor të Negev-it është miratuar nga ministritë e Energjisë dhe të Bujqësisë, por jo nga autoriteti i tokës.

“Kriteri diskriminues në projektin e energjisë voltaike është një padrejtësi klimatike”, ka thënë Joseph Abramovich, pionier i energjisë diellore në Izrael dhe Afrikë dhe promovues i Projektit Wadi Attir.

Ky i fundit është një iniciativë beduine e energjisë diellore në jug të Bregut Perëndimor në Negev.

Sipas ministrive, Izraeli nuk i arrin objektivat për energjinë e rinovueshme për vitin 2030. Dhe një arsye kryesore është mungesa e hapësirave të hapura.

Kështu, rreth një vit më parë, ministritë nisën projektin e tyre pilot për prodhimin e energjisë së rinovueshme në zonat e kultivuara në të gjithë vendin.

Por sipas rregullave të vendosura nga Autoriteti i Tokës së Izraelit, vetëm toka në pronësi të “komuniteteve bujqësore” mund të marrë pjesë, sipas protokolleve të planifikimit dhe ndërtimit të Izraelit.

Abramovich ka treguar se autoritetet izraelite kanë ftuar kështu ofertat “vetëm për tokën në pronësi të hebrenjve dhe ky diskriminim e bën komunitetin arab të mbetet prapa në revolucionin e energjisë voltaike”.

Sakaq, ministritë përgjegjëse zgjodhën pesë parcela toke në Wadi Attir, si dhe rreth 180 parcela në zona të tjera, si fituese të tenderit.

Disa javë më vonë, në janar, autoriteti i tokës njoftoi se Wadi Attir ishte hequr nga lista sepse nuk plotësonte kriteret.

Megjithatë, autoriteti ka njoftuar se “nuk ka asnjë mosmarrëveshje, Negev ka potencial të madh për prodhimin alternativ jo ndotës të energjisë elektrike”.

Po ashtu është duke e studiuar këtë çështje që nga janari dhe se po shqyrtohej miratimi i jashtëzakonshëm i Wadi Attir për projektin.

Ministritë, deri më tani, nuk kanë arritur të bindin autoritetin e tokës që të ndryshojë mendje. Ky i fundit nuk ka dhënë arsye pse.

Pasi qeveria ftoi ofertat vitin e kaluar, banorët e rajonit Wadi Attir paraqitën një ofertë së bashku me Aviv Dombrovsky, një studiues në Qendrën Volcani, një organizatë kërkimore bujqësore.

Gjithashtu morën pjesë edhe kompanitë Gyn Energy dhe Afcon.

Ligjvënësi Said al-Harumi, i cili ishte kryetar i Komitetit të Brendshëm dhe Mjedisit të Knesset, u dërgoi një letër ministrave duke kërkuar që kushtet e autoritetit të amendoheshin.

Shefja e projektit Wadi Attir, Lina Alatawna, ka treguar se përpjekjet për energjinë diellore në Negev mund të tërheqin investime të sektorit privat që do të krijonin mijëra vende pune në komunitetin beduin, duke arritur “drejtësi mjedisore dhe ekonomike”.

Kurse Nir Gordon, bashkëdrejtuesi i Gyn Energy, ka thënë se përfshirja e Wadi Attir mund të prodhojë “një informacion të madh të rëndësishëm në fushën e energjisë voltaike në bujqësi dhe integrimin e shoqërisë beduine në prodhimin e energjisë së rinovueshme, veçanërisht në Negev”.

Ai ka shtuar se një projekt i madhësisë së Wadi Attir mund të prodhojë energji elektrike për rreth tre mijë familje në Negev.

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore