Shqipëria

Përfundon misioni i “fluturakëve” evropianë


Fluturakët evropianë, si ata holandezë ashtu edhe helikopteri çek u përshëndetën të premten e 27 gushtit me tokën shqiptare.

Kjo, pas ndihmës së tyre tejet të çmuar, në përballimin e situatave të vështira me zjarret në terrene të pafavorshme.

Në hapësirën e dedikuar për helikopterët të aeroportit të Tiranës, ku u bë dhe pritja e tyre, qenë të pranishëm ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, dhe atashetë diplomatikë të dy vendeve që asistuan Shqipërinë me situatën e zjarreve.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, falënderoi Holandën për ndihmën e dhënë në këtë situatë të vështirë për vendin tonë.

“Mbështetja e Mbretërisë së Holandës dhe Republikës Çeke nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së ka rezultuar thelbësore në përballimin e situatës së zjarreve të krijuar në vendin tonë gjatë muajit gusht”, lexohet në deklaratën publike të ministrit.

Në aktivitetin e organizuar në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, falënderoi Ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, si dhe të gjithë ekipin holandez për ndihmën e dhënë dhe për mbylljen me sukses të këtyre operacioneve.

“Është momenti për të falenderuar së pari delegacionin Evropian, Ambasadorin personalisht, sepse përmes organizmave të BE-së kemi bërë të mundur që, në një kohë shumë të shpejt, të sigurojmë një mbështetje solidare nga dy shtete antare të BE, shtete mike si Holanda dhe Çekia, ndaj unë dua ta falenderoj edhe ambasadorin e Holandës dhe përfaqësuesit e ambasadës së Çekisë”, theksoi Peleshi në fjalën e tij.

Ministri shtoi se “jemi thellësisht të prekur për solidaritetin e treguar në momentin kritik të kësaj stine shumë të nxehtë e të jashtëzakonshme”.

Sipas zyrtarit shqiptar të mbrojtjes “u bëmë të gjithë bashkë institucionet në nivel vendor dhe qëndror, por edhe vendet partnere mike për ta përballuar me sukses”.

Nëpërmjet statusit në Twitter, prania e BE-së në Shqipëri ka falënderuar misionet për përkushtimin dhe kurajon e tyre në përballimin e betejave të vazhdueshme me zjarret.

Ambasadori Soreca ka falënderuar Holandën dhe Republikën Çeke për helikopterët dhe burrat apo gratë të angazhuar në misionet e tyre.

“Ekipi Evropian kontribuoi në shpëtimin e jetës, jetesën dhe mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë”, shkruan më tej Soreca.

Sipas ambasadorit, gushti ka qenë një muaj i solidaritetit, përtej misioneve për shuarjet e zjarreve, por edhe pranimi i refugjatëve afganë në nevojë në Shqipëri.

“Për Bashkimin Evropian dhe Shqipërinë, solidariteti nuk është një fjalë boshe, është e vërtetë”, përmbyll Soreca statusin e tij.

20 ditë më parë

20 ditë më parë do të merrte jetë angazhimi i fluturakëve në misionet e tyre të shpëtimit dhe shuarjes së zjarreve.

Misioni “Vlora” u bë i qartë që në nisje, pasi sipas deklaratës së ministres holandeze, “Chinooks do të mbusheshin me ujë nga Gjiri i Vlorës” – për të vijuar më pas me operacionet e tyre të shpëtimit dhe shuarjes së zjarreve.

Kujtojmë që këta helikopterë janë aq të specializuar sa kërkohen gjerësisht për shuarje zjarresh edhe në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Veçantia e tyre qëndron te fakti që helikopterët mundësojnë ndërhyrjen nga ajri nëpër ato zona ku nuk munden zjarrfikësit, si rasti i Shqipërisë.

Chinook-s janë të pajisur me të ashtuquajturën kovë bambi, duke e bërë të specializuar për shuarjen e zjarreve. Në të vërtetë, kova është një thes fleksibël, që mund të përdoret për të hedhur 10 mijë litra ujë drejt vatrave të zjarrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore