Kosova

Për të komunikuar me “UP” duhet të thërrisni në Serbi – disa fakultete s’e kanë ndryshuar fare prefiksin


Foto: Albanian Post

Kosova e ka prefiksin 383 që nga 14 nëntori i vitit 2016, që ishte arritur në kuadër të dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, mirëpo disa fakultete në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” – institucioni kryesor i arsimit të lartë në Kosovë – por edhe disa profesorë e kanë në ueb-faqen zyrtare ende kodin telefonik të Serbisë (381).

Kosova, deri në arritjen e marrëveshjes së Brukselit, ka përdorur tre prefikse, atë të Serbisë 381, të Monakos 377, si dhe atë të Sllovenisë 386.

Mirëpo, që nga arritja e marrëveshjes, Kosova e ka zyrtarisht vetëm një kod telefonik (383), por një pjesë e institucionit kryesor të arsimit në vend nuk po e respekton prefiksin zyrtar të shtetit.

Në vend të tij, ata personifikohen me atë të Serbisë.

Njëri nga ta është Fakulteti Juridik, i cili njihet për numrin e madh të studentëve. Në ueb-faqen e tij zyrtar, tek pjesa e kontaktit, konkretisht tek pjesa telefoni, numrin zyrtar e kanë me prefiks të Serbisë.

Profesorët që janë pjesë e stafit akademik të Universitetit ua dërgojnë CV-it dhe të dhënat e tyre menaxhmetit të fakulteteve ku bëjnë pjesë dhe ata ia bartin në ueb-faqen zyrtare, por të njëjtit kanë qasje edhe vetë për t’i përditësuar ato të dhëna.

Por, përkundër mundësisë qe edhe vetë t’i përditësojë të dhënat, Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, nuk ka e ka marrë mundin që ta bëjë një gjë të tillë.

Puka, i cili është akuzuar edhe për plagjiaturë të temës së doktoratës, në faqen zyrtare të fakultetit numrin e telefonit e ka me prefiks të Serbisë.

Pos Juridikut, edhe Fakulteti Ekonomik, i cili po ashtu njihet për numrin e madh të studentëve, e ka në ueb-faqen zyrtare prefiksin e Serbisë.

Ngjashëm si dy fakultetet e tjera, në këtë çështje, operon edhe Fakulteti Filozofik – më i vjetri në Kosovë. Kodin telefonik e ka të Serbisë, anashkalon atë zyrtarin të Kosovës.

Njëri nga ata që ligjëron në këtë fakultet, e që ka titullin Profesor Asistent, është Ardian Kastrati.

Kastrati, i cili është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, i akuzuar për plagjiaturë, ka preferuar që të jetë në një linjë me fakultetin ku bënë pjesë: numrin e telefonit e ka të paraqitur me prefiks të Serbisë.

Përveç Kastratit, në Filozofik janë edhe profesorë të tjerë që e kanë kodin telefonik të Serbisë, si Arsim Sinani, Afrim Hoti, Aliriza Arënliu, Vjollca Krasniqi, Rita Selimi, Ibrahim Gashi e Muhamet Mala.

Problem të ngjashëm hasim edhe tek Fakulteti i Mjekësisë.

Edhe ky fakultet në ueb-faqen zyrtare numrin e telefonit e ka të paraqitur me prefiks të Serbisë.

Ajo çka bie në sy nëse futeni në faqet zyrtare të të gjitha këtyre fakulteteve është fakti se janë tejet aktiv në publikimin e aktiviteteve të tyre, por prefiksi i tyre përkon me atë të një shteti tjetër.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndonëse është institucioni arsimor më kredibil në vend, shpesh herë është përballur me akuza, posaçërisht sa i përket punimeve shkencore të stafit akademik.

Një numër i madh i profesorëve janë akuzuar për plagjiaturë, derisa veprimet që i ka ndërmarrë menaxhmeti i UP-së për këso çështje kanë qenë minimale, e në shumë raste s’ka vepruar fare.

Së fundmi, me fillim të vitit të ri, konkretisht më 2 janar, Organizata studentore “Reforma”, ka mbajtur një konferencë për media ku ka ngritur shqetësimin për mospublikimin e punimeve të doktoratës nga stafi akademik menaxherial i UP-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore