Shqipëria

Pensionet e shqiptarëve në Itali- Hapat që do të ndërmerren në 2022-shin


Përgjatë vitit 2022 do të zhvillohen bisedime dypalëshe mes qeverive shqiptare dhe italiane për finalizimin e marrëveshjes së sigurimeve shoqërore, pasi rezulton që drafti është gati.

Këtë e ka bërë të ditur Bordi Drejtues i Shoqatës Kombëtare të Italianëve dhe Shqiptarëve për Pensionet (Diaspora 91-19 ANIAP), të hënën e 10 janarit.

Gjithashtu do të caktohen dhe fondet nga Qeveria Shqiptare, e cila rezulton të jetë e interesuar për zgjidhjen pozitive të problemit.

Diaspora 91-19 ANIAP njofton se do të bëhet dhe ratifikimi burokratik i marrëveshjes dhe dekretet zbatuese.

Po ashtu, do të ketë dhe përcaktim të procedurave dhe modifikimit të programeve kompjuterike.

Sapo të kenë përfunduar hapat e mësipërm, do të fillojnë kërkesat nga qytetarët për pensionet dhe lëvrimi i tyre nga 1 janari 2023.

Duke nisur nga viti 2023, Qeveria italiane do të njohë edhe vitet e punës në Shqipëri, për emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj.

Kështu, ajo u ka dhënë atyre të drejtën e pensionit në momentin që arrijnë moshën. Parlamenti italian e ka përfshirë këtë në projekt-buxhetin e Italisë për vitin 2022.

Senati ka miratuar fazën e parë, duke i dhënë votat pro relacionit të buxhetit për 10 vitet e ardhshme.

Kryeministri italian, Mario Draghi, ka përcaktuar 136 milionë euro për zbatimin e paktit me Shqipërinë.

Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar, Edi Rama, i ka shprehur mirënjohje homologut italian dhe ministrit të Jashtëm, Luigi di Maio, të cilët janë angazhuar personalisht për ta zgjidhur këtë çështje.

Për Ramën, kjo temë është jetike për shumë shqiptarë në Itali.

Njohja e pensioneve

Në vizitën e tij të fundit në Itali, më 17 nëntor të këtij viti, numri një i Qeverisë shqiptare kërkoi përshpejtimin e njohjes së sistemit të pensioneve.

Qindra mijëra shqiptarë jetojnë në Itali. Fuqia e tyre punëtore u është përgjigjur detyrimeve legjislative, pasi ata paguajnë miliarda kontribute për sigurimet, por shumicës prej tyre nuk i njihet e drejta e pensionit.

Kjo, për shkak të një mungese ligjore. E njëjta gjë edhe me italianët, që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.

Gjatë një vizite në Itali, në mars të këtij viti, Rama kërkoi sërish njohjen e kontributeve të pensioneve.

“Janë rreth 50 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme në Itali. Problemi është që të kenë njohjen e kontributeve për pensionet. Është një problem që duhet ta zgjidhim me qeverinë italiane”, deklaroi në atë kohë.

Sipas Ramës, ky është një proces i filluar prej kohësh dhe tejet i vështirë.

Në mars të 2021-shit, një grup emigrantësh shqiptarë u kanë dërguar letër autoriteteve më të larta italiane e shqiptare me kërkesën për të drejtën e njohjes së pensioneve për emigrantët mes dy shteteve Itali-Shqipëri.

Negociatat për këtë marrëveshje kanë nisur që në vitin 2013.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore