Shqipëria

PD e quan “propagandë” mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave


Zëdhënësja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, të shtunën e 18 shtatorit ka reaguar rreth mbledhjes së parë të qeverisë “Rama 3” – zyrtarisht, sot pas betimit në Institucionin e Presidencës, ka nisur punën për mandatin e tretë.

Gjithë mbledhjen e parë të kësaj qeverie të re, Pampuri e quajti, “propagandë”, duke e cilësuar si qeverinë më të korruptuar në Ballkan.

Pampuri u ndal te fjalia e Ramës, i cili u bëri të qartë Ministrave të këtij mandati, etikën e punës.

“Të gjithë e mbajmë mend me sa ‘etikë’ u ngrit sistemi nepotik në qeveri që qysh prej 2013-ës e përdori për t’u hedhur hi syve të qytetarëve”.

Më tej ajo e mbyll duke akuzuar treshen Rama-Doshi-Rakipi. “Si atëherë edhe tani, PPP-ja Rama-Doshi-Rakipi – bashkëqeverisjen e ka me krimin dhe kundër interesave të shqiptarëve”.

Mbledhja e parë qeverisëse

I pari i qeverisë mbajti fjalën hyrëse në mbledhje, duke ju bërë të ditur kodin e etikës anëtarëve të tjerë të kabinetit.

“Asnjë anëtar i qeverisë nuk duhet të udhëtojë në Business Class”, sipas kodit të etikës që Rama lexoi.

Po ashtu deklaroi se, ministrat nuk duhet të zhvillojnë darka në restorante kur janë në orar të punës, përveç momentit kur janë në festa familjare.

Ndërsa për dhuratat protokollare që anëtarët e kabinetit marrin, “do të inventarizohen”.

“Detyrimi për t’i inventarizuar dhuratat të delegacioneve të çfarëdo natyre apo ato të individëve që kalojnë një vlerë të caktuar monetare, ose duhet të qëndrojnë si pjesë e dekorit të zyrës tuaj ose duhen dorëzuar në muzeun e dhuratave protokollare”, shpjegoi Rama.

Mbërritja e kabinetit qeveritar në Kryeministri

Po ashtu, kryeministri i sapo betuar, drejtuar qeverisë së re tha se, është absurde që një anëtar i Qeverisë të kundërshtojë në diskutimet e Kuvendit, ligjet e vendosura më parë në Këshillin e Ministrave.

“Ka vetëm një sektor”, ka theksuar ai, “dhe ky sektor është Shqipëria”.

Ndërsa për opozitë, Rama tha se nuk do ju përgjigjemi më, me mënyrën e vjetër.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryeministri, zëvendëskryeministri, ministri u zotuan për të respektuar “mënyrën e re të jetesës”.

Qeveria “Rama 3” zhvilloi mbledhjen e parë në godinën e Kryeministrisë.

Katër vendimet e para

Në mbledhjen e parë të qeverisë së re, 17 anëtarët e kabinetit kanë marrë katër vendimet e para.

Ishte kreu i qeverisë ai që bëri të ditur projektligjet që pritet të votohen në Kuvendin e Shqipërisë.

Vendimi i parë që pritet të kthehet në ligj është ai për fëmijët e mjekëve dhe infermierëve që kanë humbur jetën nga COVID-19.

Deri në moshën 18 vjeç, fëmijët e tyre do të marrin rrogën e prindërve të tyre.

“Personat e mitur, prindërit që i përket kategorisë mjek, infermier, që kanë humbur jetën nga COVID-19 do të trajtohen në mënyrë retroaktive”.

Mbledhja e parë e qeverisë së re

Në faqen e re online të qeverisë, u njoftua nga Rama se, “do të ketë një rubrikë të dedikuar për informimin e publikut”.

Sipas tij, ata zyrtarë që nuk do të thonë të vërtetën do të mbajnë përgjegjësi morale, por edhe ligjore nëse do të jetë nevoja.

“Në atë rubrikë secili prej ministrave do të përgjigjet me shkrim dhe do të mbajë përgjegjësi për informacionin. Kush nuk do të thotë të vërtetën do të marrë përgjegjësitë morale dhe ligjore nëse nuk do të thotë të vërtetën”, theksoi Kryeminsitri.

Gjithashtu do të krijohet dhe Agjencia për Mediat dhe Informimin, e cila “do të garantojë transparencë” në lidhje me politikat, projektet apo problematikat që kanë të bëjnë me aktet e Këshillit të Ministrave e institucioneve përbërëse.

Kjo Agjenci do të varet direkt nga kryeministria dhe do t’i bëjë me dije institucioneve të qeverisjes vendore gjithçka që lidhet me qëndrimin e medias dhe publikut, mbi çështje me interes publik.

Një nga vendimet ishte se, dy kampionet nga Kosova, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FA).

“Me ministrin e Mbrojtjes jemi duke punuar që në FA të krijohet një njësi speciale e kampionëve që meritojnë gjithë jetën të trajtohen me një status të veçanta”.

12 gra dhe katër burra. Ky do të jetë kabineti i ri qeveritar “Rama 3”, i shpallur nga Rama, më 2 shtator në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Për herë të parë në historinë moderne të Shqipërisë, PS-ja do ta udhëheqë vendin në mandatin e tretë qeverisës radhazi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore