Kosova

Pas Sveçlës edhe Haxhiu sulmon Gjykatën: S’është larg mendsh nëse edhe terroristët e 24 shtatorit do t’i lironi si Pantiç-in


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Pas Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka sulmuar Gjykatën Themelore të Prishtinës, kjo pas lirimit nga arresti shtëpiak të ish-policit të Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç.

Pantiç akuzohej për sulme terroriste në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor, mirëpo i njëjti është liruar pas deponimit të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro.

“Të gjithë kriminelët të cilët sulmuan policinë dhe cenuan rendin kushtetues, Gjykata i ka liruar me dorëzani!”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Si ka nisur kështu, vlerëson ministrja, “nuk është larg mendsh nëse edhe terroristët e sulmit terrorist të 24 shtatorit t’i lirojnë me dorëzani”.

“Kjo veç drejtësi nuk është!”, beson Haxhiu. “E papranueshme”.

Ajo i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që t’i trajtojë këto raste dhe të “mos lejojë keqpërdorimin e dorëzanisë”.

Ndërsa, për këtë rast Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka akuzuar Gjykatën Themelore të Prishtinës se po saboton luftimin e krimit në Veri.

“Puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet”, shkroi Sveçla në Facebook.

Ministri theksoi se Policia arreston terroristët, ndërsa “këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani”, duke iu referuar shumës së mjeteve financiare që u pagua për lirimin e Pantiç-it.

“Sot pamë që terroristi Dejan Pantiç, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani”, shtoi.

Mirëpo, në vlerësimin e Sveçlës, as masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta “nuk kanë të bëjnë me drejtësinë”.

“Mos të harrojmë që një pjesë e konsiderueshme të kriminelëve që vepronin në Veriun e vendit tonë e që sulmuan institucionet e Kosovës, policinë, pjesëtarët e misioneve të huaja dhe gazetarët, janë lënë të lirë në këtë formë. Mund të supozojmë pastaj se me çfarë aktivitetesh janë marrë sërish këta persona”.

Xhelal Sveçla

Edhe veprat për të cilat akuzohet Pantiç dhe të tjerët, kreu i MPB-së thotë se nuk janë çfarëdo veprash.

“Ata akuzohen për veprat ndër më të rëndat që parasheh Kodi ynë Penal. Kësisoj, këto lloj masash nuk i shërbejnë aspak përpjekjeve tona për rend dhe ligj në Veriun tonë dhe as drejtësisë”.

Përkundrazi, pohon ai, “ato lehtësisht mund të jenë stimulim për vazhdim të avazit të vjetër”.

“Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokëçarës ndaj punës së paepur, të përditshme, të palodhshme e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës” potencon Sveçla.

Pantiç lirohet nga arresti shtëpiak me 30 mijë euro dorëzani

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore