Kosova

Partneri i Mickoski-t në përkrahje të këshilltarëve të Kurtit në Luginë


Bilall Kasami

Bilall Kasami, lideri i koalicionit “VLEN”, që kanë bërë marrëveshje për bashkëqeverisje me partinë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, e drejtuar nga Hristjan Mickoski, ka dalur në mbështetje të kandidates për kryetare të Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, këshilltare e kryeministrit Albin Kurti, dhe kandidatit për kryetar të komunës së Bujanocit, Ragmi Mustafi, njëherit këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Beslimi.

Këtë, Kasami e ka bërë përmes një postimi në Facebook, një ditë pasi që kryeministri Kurti mori pjesë në tubimin elektoral të Sinanit dhe Mustafit në Prishtinë në prag të zgjedhjeve të 2 qershorit.

Fillimisht, Kryetari i Komunës së Tetovës ka pretenduar se “në çdo anë ku janë shqiptarët, po fryn era e ndryshimit, e cila po sjellë politika në interes të kombit dhe çdo qytetari të Ballkanit”.

Sipas tij, ndryshimi filloi në Kosovë, pasoi në Maqedoninë e Veriut dhe po vazhdon në Luginë.

“Andaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Luginës që më 2 Qershor, të dalin në votime dhe sa më masovikisht të mbështesin kandidatët me agjendë të pastër shqiptare”, shkroi ai.

Ai i ka ftuar qytetarët e Luginës që më 2 qershor, në Preshevë ta mbështesin Ardita Sinanin, ndërsa në Bujanoc, Ragmi Mustafin.

“Kjo erë e fuqishme e ndryshimit, po pastron pluhurin antishqiptarë i cili me dekada u hidhet syve qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe sjell të ardhmen e ndritur për çdo shqiptar, kudo që ai ndodhet”, përfundoi ai.

Ndryshe, edhe këshilltarja e Kurtit, pra Sinani, i ka dhënë përkrahje koalicionit “VLEN” në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Ndërsa, Kurti, mbështetje ka pasur edhe për koalicionin “VLEN”, por tani po i jep edhe kandidatëve të Partisë për Veprim Demokratik për kryetarë të komunës së Preshevës dhe Bujanocit, të cilët edhe i ka të angazhuar në ekzekutivin e tij.

Kritikat për përçarje të shqiptarëve në Luginë, Kurti: Shkoj aty ku më thërrasin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore