Lajme

Partia Demokratike e Kosovës me kërkesë urgjente për Qeverinë


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin e tij social ‘Facebook’, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të marrë masa urgjente për zbutjen e gjendjes me të cilën po përballet vendi.

Ky reagim vjen sidomos pas njoftimit të Agjencionit të Statistikave të Kosovës, ku thuhet se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë, në një mesatare prej 14,1 përqind.

“Si asnjëherë pas luftës në Kosovë, inflacioni është ngritur në 14.1 për qind. Me këtë përqindje, Kosova është në mesin e shteteve që i prijnë listës në nivelin global, me shkallën më të lartë të zhvlerësimit të parasë”, ka shkruar Krasniqi.

Kreu i PDK-së u shpreh se në mungesë të masave të Qeverisë, “qytetarët e Kosovës kanë mbetur nën mëshirën e fatit”.

Sipas tij, rritja e çmimeve dhe rikthimi i pandemisë nuk po i mjaftojnë Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti që të marrin masa, por po kalojnë kohën nëpër “ekskursione personale”.

“Për Kryeministrin, i cili në 100 ditët e fundit gjysmën e tyre e ka kaluar jashtë vendit nëpër ekskursione personale – pa asnjë rezultat për Kosovën, më me rëndësi po dalin të jenë tryezat e debateve dhe takimet shterpe”.

“Kjo tashmë nuk është vetëm një propozim, por, një kërkesë urgjente që po i bëjmë kësaj Qeverie për të reaguar. Dita është sot. Koha është menjëherë. Tashmë jeni vonë”, përfundoi Krasniqi.

Më 26 janar, të frustruar me rritjen e çmimit të rrymës dhe qasjen e kryeministrit të Kosovës, qytetarët kanë protestuar në Prishtinë duke brohoritur “Albin mashtruesi”, “Albin rrenci”.

Etiketat “rrenc” dhe “mashtrues” i janë mveshur Kurtit meqë sa ishte në opozitë thoshte se rryma është shumë shtrenjtë dhe premtonte uljen e çmimit, derisa tash po deklaron se “aq lirë ka qenë rryma sa qytetarët nuk e kanë ditur as sa po u vjen fatura”.

Më 12 korrik, Albanian Post realizoi edhe një video-story në pazarin e tregut të Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore