Shqipëria

Parku më i madh fotovoltaik ballkanik në Karavasta – si do të funksionojë shitja e energjisë?


Ndërtimi i parkut më të madh fotovoltaik në të gjithë Ballkanin Perëndimor nisi këtë javë në Karavasta.

Në inaugurimin e punimeve ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, si edhe ambasadorja franceze në Tiranë, Elisabeth Barsacq.

Kështu, janë 196 hektarë, të cilët do të kthehen në fushë prodhimi të energjisë diellore, duke prodhuar thuajse 260 gigaëatt energji elektrike në vit.

Një pjesë të kësaj energjie, do ta marrë edhe shteti shqiptar në përdorim, si pjesë e marrëveshjes me kompaninë e kontraktuar për ndërtimin e parkut, Voltalia

Voltalia e fitoi koncesion 30-vjeçar për termocentralin fotovoltaik të Karavastasë në vitin 2020.

Projekti iu dha Voltalia-s me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë , pas procesit të tenderit konkurrues të nisur nga Ministria e Infrastruktura dhe Energjia me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH.

Sipas kushteve të tenderit, Karavastaja do të shesë 50% të energjisë elektrike nëpërmjet një kontrate shitjeje 15-vjeçare tek operatori publik shqiptar, ndërsa pjesa e mbetur e prodhimit do t’u shitet operatorëve privatë me kontrata afatgjata.

Impianti pritet të vihet në punë në gjysmën e dytë të vitit 2023.

Ai do të mbulojë konsumin vjetor të energjisë elektrike të 220 mijë banorëve, dyfishi i konsumit të qyteteve shqiptare si Vlora apo Kamza.

Kështu do të shmanget emetimi i më shumë se 96 mijë e 500 ton CO2 në vit, ekuivalent me 9.5% të shkarkimeve nga sektori industrial në Shqipëri.

Çfarë përfaqëson Voltalia në Shqipëri?

Në maj 2021, Voltalia fitoi një projekt të dytë diellor, të quajtur Spitalla, me një kapacitet 100 megavat në Shqipëri, në rajonin e Durrësit në bregdetin e Adriatikut.

Voltalia, ashtu si në Karavasta, do të jetë zhvilluesi, ndërtuesi dhe operatori i projektit.

Për Spitallën operatori publik do të marrë 70% të energjisë elektrike në një periudhë 15-vjeçare.

Pjesa tjetër e energjisë do të shitet me kontrata afatgjata me një çmim tregu. Vënia në punë është planifikuar për vitin 2024.

Shqipëria, e cila ka nevojë në rritje për energji dhe një përzierje tashmë plotësisht të rinovueshme të energjisë, vazhdon të diversifikojë energjitë e saj të rinovueshme, duke u fokusuar në energjinë diellore dhe të erës.

Këto projekte janë ilustrime të mëtejshme të konkurrencës së energjisë së rinovueshme në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore