Lajme

Parisi do t’u ngarkojë shoferëve të SUV-ve tarifa më të larta parkimi


Bashkia e Parisit do të vendosë tarifa më të larta parkimi për pronarët e SUV-ve.

Masa vjen si rrjedhojë e betejës për të reduktuar ndotjen në kryeqytetin francez.

Deri më tani detajet e tarifave nuk janë bërë të ditura. Megjithatë, do të merren parasysh përmasat, pesha e mjetit dhe motori i tij.

Sakaq, makinat elektrike dhe ato për familjet e mëdha pritet t’i shpëtojnë tarifave të rritura që do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2024.

Këshilltarët e Parisit e kanë miratuar masën me një votim unanim muajin e kaluar.

Një prej tyre është edhe Frédéric Badina-Serpette, këshilltar nga partia ekologjike EELV, i cili ka propozuar tarifat e rritura.

“Ne do të dëshironim që qyteti i Parisit të ndryshojë çmimin e parkimit me pagesë për ta bërë atë progresiv sipas peshës dhe madhësisë së automjeteve”, ka thënë ai.

Sipas zyrtarëve, numri i SUV-ve në qytet është rritur me 60 për qind gjatë katër viteve të fundit dhe tani ato përbëjnë 15 për qind të 1.15 milionë automjeteve private të parkuara në Paris çdo mbrëmje.

Ata shpresojnë se rritja e tarifave do të frenojë rritjen dhe do të inkurajojë pronësinë e automjeteve më të lehta.

“Nga 1 janari 2024, pronarët e SUV-ve mund të presin të paguajnë tarifa më të larta për të parkuar në kryeqytetin francez”, ka thënë këshilli në një deklaratë.

David Belliard, një nënkryetar bashkie përgjegjës për hapësirën publike dhe politikën e lëvizshmërisë, ka thënë se SUV-të ishin të papërshtatshme në një mjedis urban.

“Nuk ka shtigje të pista, nuk ka rrugë malore… SUV-të janë absolutisht të padobishme në Paris. Më keq, ato janë të rrezikshme, të rënda dhe përdorin shumë burime për t’u prodhuar”, ka sqaruar Belliard.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore