Lajme

Paralajmërimi i Beçiroviç-it: Rreziku i një gjenocidi të ri nuk është eliminuar


Denis Beçiroviç

Anëtari boshnjak i presidencës së Bonje e Hercegovinës, Denis Beçiroviç, duke përkujtuar gjenocidin e Srebrenicës, ka thënë se e vërteta për gjenocidin e kryer ndaj boshnjakëve nuk duhet të ndalojë së përhapuri, duke shtuar se rreziku i gjenocidit ndaj boshnjakëve nuk është eliminuar.

“E vërteta për gjenocidin e kryer kundër boshnjakëve nuk duhet të ndalojë së përhapur. Është detyrimi ynë i përhershëm që të gjejmë forcë dhe mençuri dhe të përhapim të vërtetën për gjenocidin në Srebrenicë”, tha Beçiroviç, transmeton media boshnjake “Oslobodenja”.

Ndërkaq, ai shtoi se “kultura e kujtesës është e vetmja rrugëdalje nga spiralja e së keqes dhe dhunës dhe e vetmja mënyrë për të shëruar shoqërinë nga urrejtja”.

“Të gjithë ata që i ofrojnë BeH një strategji të harresës nuk e mendojnë mirë vendin tonë. Nuk duhet të pranojmë kurrë të harrojmë”.

Nuk ishte një luftë civile në BeH, theksoi Beçiroviç “por një sulm i armatosur nga një vend tjetër, pra agresion brutal”.

Tutje, ai shtoi se Organizata e Kombeve të Bashkuara ka një pjesë të përgjegjësisë për gjenocidin në Srebrenicë.

“OKB-ja e ka pranuar gabimin e saj ndaj Bosnjë-Hercegovinës dhe Srebrenicës. Përmes mosveprimit dhe lëshimeve të saj, OKB-ja mban një pjesë të përgjegjësisë për gjenocidin e kryer ndaj boshnjakëve”, shtoi Beqiroviç, duke cituar raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Duke qenë se OKB-ja e ka pranuar pjesën e saj të përgjegjësisë, Beçiroviç pyeti liderët e vendeve më të mëdha në botë se “pse tolerohet mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës dhe pse nuk sanksionohen ata që mohojnë gjenocidin”, duke iu referuar qëndrimit të presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik.

Po ashtu, ai bëri edhe disa pyetje, ndër të cilat “nëse ka politika që kërcënojnë Kushtetutën e BeH-së, që mbrojnë shkëputjen, nëse ka propagandë kundër BeH-së, a mohohen krimet”, duke shtuar se rreziku i gjenocidit ndaj boshnjakëve nuk është eleminuar.

“Rreziku i gjenocidit ndaj boshnjakëve nuk është eliminuar. Ideologjitë, politika, media, qendrat e pushtetit të shteteve të mëdha, pretendimet e shteteve të mëdha dhe faktorë të tjerë që çuan në gjenocidin e boshnjakëve po kërcënojnë sërish”, pohoi Beqiroviç, i cili beson se “ne duhet të mblidhemi rreth idesë se shteti duhet të jetë vendi i parë për të gjithë ne”.

Ndryshe, në korrik të 1995-s, forcat nga Republika Srpska e shkëputur nga Bosnja dhe aleatët paraushtarakë vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenicës.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) kaloi vite duke hetuar masakrën.

ICTY zbuloi se forcat serbe të Bosnjës filluan planifikimin e gjenocidit gjatë fazës përfundimtare të Luftës tre-vjeçare të Bosnjës, në Mars 1995.

Objektivi i forcave serbe të Bosnjës ishte kapja e Srebrenicës, e cila ishte shpallur pjesë e një zone të sigurt të OKB-së në 1993.

Kur sulmuesit pushtuan Srebrenicën më 11 korrik dhe morën paqeruajtësit peng, rreth 25 mijë boshnjakë u larguan në periferi të qytetit.

Një ditë më vonë, sulmuesit filluan t’i sulmojnë, përdhunojnë dhe t’i vrasin ata.

Më 12 dhe 13 korrik, vajza, gra dhe refugjatë të moshuar u ngarkuan në autobusë dhe u drejtuan për në rajonet nën kontrollin e boshnjakëve.

Pasi vranë më shumë se 8 mijë njerëz nga 13 deri më 17 korrik, sulmuesit hodhën trupat e tyre në varre masive.

Pas masakrës, ushtarët serbë të Bosnjës rihapën varret masive me makineri të rënda dhe zhvendosën mbetjet njerëzore në varret dytësore dhe terciare.

Qëllimi i tyre ishte të fshihnin krimet e tyre. Patologëve iu është dashur të marrin dhe copëtojnë mbetjet njerëzore nga zona të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore