Lajme

Para nisjes së seancës për Kosovën në OKB, Selakoviç kërkon nga UNMIK-u zbatimin e Rezolutës 1244


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, ka takuar shefen e UNMIK-ut në Kosovë, Karolina Ziadeh.

Selakoviç ka theksuar se angazhimi i UNMIK-ut është shumë i rëndësishëm për zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kjo është bërë e ditur përmes një cicërime të MPJ-së serbe në Twitter.

“Përpara seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, Ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviç, ka biseduar me shefen e UNMIK-ut në Kosovë, Karolina Ziadeh, dhe ka theksuar se është vendimtare që të vazhdojë angazhimi i UNMIK-ut për të gjitha çështjet me rëndësi për zbatimin e qëndrueshëm të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Kujtojmë se këtë të martë, në Këshillin e Sigurimit në OKB, shefja e UNIMK-ut, Caroline Ziadeh, do të prezantojë raportin gjashtë mujor për situatën në Kosovë.

Raporti, që veç mbulimit të aktiviteteve të misionit të Kombeve të Bashkuara, përfshin edhe ngjarjet kryesore që kanë ndodhur brenda gjashtë muajve të fundit, nga 16 marsi deri me 15 shtator të këtij viti, prezantohet në përputhje me rezolutën 1244, me anë të së cilës Këshilli kishte dërguar misionin në Kosovë në vitin 1999 dhe kishte kërkuar raporte në intervale të rregullta për të kontrolluar implementimin e mandatit të vet.

Seanca paraprake ishte mbajtur më 20 prill, ku Kosova ishte përfaqësuar nga ana e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ajo pritet që përsëri të jetë përfaqësueses e Kosovës, derisa nga ana e Serbisë tashmë është konfirmuar se për New York ka udhëtua ministri i  Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviç.

Në Këshillin e Sigurimit dorëzohet raporti për Kosovën: Gërvalla e Selakoviç ballafaqohen për tensionet në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore