Shqipëria

Papunësia bie në nivele minimale historike tremujorin e tretë të vitit


Në tremujorin e tretë të këtij viti, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri arriti në 10,5 për qind.

Çka ka shënuar një rekord historik minimal.

Referuar Institutit të Statistikave (INSTAT), shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,03 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023.

Ndërkohë shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,1 për qind dhe për gratë 11,1 për qind.

Shkalla e papunësisë, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, është rritur me 0,2 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 0,2 pikë përqindje për gratë.

Paçka se papunësia ka rënë në shkallë kombëtare, ajo është rritur tek të rinjtë. Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0 për qind.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit pararendës, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 1,6 pikë përqindje.

Kurse krahasuar me tremujorin e dytë 2023, ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje.

Sakaq, shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 7,6 për qind. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindje.

Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, është 67,7 për qind.

Numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2022 në tremujorin e tretë 2023, është rritur me 1,2 për qind.

Në terma vjetorë, punësimi ulet me 3,0 për qind në sektorin e bujqësisë dhe me 2,0 për qind në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 6,1 për qind në sektorin e shërbimeve.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2023, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,1 për qind.

Punësimi ulet me 2,5 për qind në sektorin e industrisë dhe me 1,3 në sektorin e shërbimeve, ndërsa u rrit me 7,3 në sektorin e bujqësisë.

Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 73,4 për qind, ndërsa për gratë është 62,2 për qind.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 1,7 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 2,7 pikë përqindje.

Në tremujorin e tretë të vitit 2023 shkalla e punësimit të të rinjve është 44,8 për qind.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e punësimit të të rinjve është rritur me 1,1 pikë përqindje dhe në krahasim me tremujorin e dytë 2023 është rritur me 0,7 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit është 78,2 për qind.

Shkalla e punësimit

Në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7 për qind.

Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 1,6 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,5 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.

Në tremujorin e tretë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10.5 për qind, duke pësuar rënie me 0,03 pikë për qind, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022 dhe është ulur me 0,2 pikë për qind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 76,1 për qind.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 2,7 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,3 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70,2 për qind, ndërsa për burrat ky tregues është 82,2 për qind.

Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 12,1 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,8 pikë përqindje dhe për burrat me 2,5 pikë përqindje

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 57,5 për qind.

Ky tregues është rritur me 2,6 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,8 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë 2023.

Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 84.6 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore