Lajme

Pamuk, kryeministrit italian: Mos lejoni që Venecia të kthehet në ‘qytet të padukshëm’


Orhan Pamuk - Shkrimtar

Një letër drejtuar “Istituto Veneto di Scienze – Lettere ed Arti” (Instituti i Shkencave Veneto – Letrat dhe Artet) nga shkrimtari i njohur i letërsisë bashkëkohore, Orhan Pamuk, ka bërë xhiron e botës.

Venecia, qyteti i “të dashuruarve” i Italisë, mund të zhytet deri në fund të këtij shekulli për shkak të krizës klimatike.

Autori turk, laureat i çmimit “Nobel”, i bën thirrje urgjente kryeministrit italian, Mario Draghi, për ta shpëtuar Venecian nga rritja e nivelit të detit.

Ndryshe nga sa mendohet, në thirrje thuhet se Venecia nuk do të “gëlltitet” shpejt nga ujërat, porse do të shembet gradualisht.

Venecia, Itali.

Ndër të tjera, Pamuk thekson se katastrofat serioze humanitare dhe ekologjike të shkaktuara nga ndryshimet klimatike do të përkeqësohen nëse ngrohja globale nuk vihet nën kontroll.

Gjithashtu shkrimtari bën një paralelizëm të situatës së Venecias me librin e shkrimtarit italian Italo Calvino “Invisible Cities” (Qytetet e padukshme).

“Siç e dini, romani më i bukur kushtuar Venecias është shkruar nga Calvino. Por ngjarjet ndodhin diku tjetër. Venecia është Pekini. Venecia është Boston. Venecia është Kioto. Venecia është Kalkuta. Venecia është St. Petersburg. Venecia është Madridi, Hamburgu, Parisi dhe Stambolli”.

Pamuk thotë se Venecia është një shembull për të gjitha qytetet e vjetra të botës.

“Të shpëtosh Venecian”, shkruan Pamuk, “do të jetë shpëtimi i gjithë njerëzimit, të gjithë qyteteve, Lagos, Kajros, Sao Paulo-s, New York-ut dhe Hong Kong-ut”.

Nga data 31 tetor deri më 12 nëntor, në qytetin më të madh të Skocisë, do të mbahet Samiti i Klimës COP26 .

Venecia, Itali.

“Vendimi i rëndësishëm që do të merrni, jo vetëm që do ta shpëtojë Venedikun, por do të jetë shembull për të gjithë njerëzimin dhe ne do të kuptojmë se shpëtimi dhe ruajtja e qyteteve tona, do të thotë të shpëtojmë kujtesën, inteligjencën dhe identitetin tonë”, tha mes të tjerash, Pamuk në letrën e tij.

Në përmbyllje të letrës, Pamuk i bën një lutje kryeministrit italian.

“Zoti kryeministër, është në dorën tuaj ta shpëtoni Venedikun dhe të gjitha qytetet e tjera të ‘padukshme të botës’”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore