Kosova

Pak muaj nga fillimi i Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë


Ilustrim

Procesi i regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, do të realizohet vitin e ardhshëm.

Nuk janë dhënë detaje se kur do të fillojë kjo procedurë, por i gjithë procesi është pak muaj larg, nga fillimi.

Avni Kastrati, drejtor i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në një prononcim për Albanian Post ka thënë se ky proces ishte paraparë të realizohej gjatë këtij viti, por u shty për shkak të pandemisë.

“Sipas planifikimeve presim të jetë viti 2022, viti kur do të mbahet Regjistrimi i Popullsisë në Kosovë”, ka treguar Kastrati.

Projekti i Regjistrimit të Popullsisë është prioritet strategjik, dhe i një rëndësie të veçantë andaj, kërkon angazhim intensiv të të gjitha institucioneve qendrore dhe lokale në vend.

“Agjencia e Statistikave të Kosovës është duke bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në bazë të planit strategjik të planifikimit, drejtimit dhe realizimit të detyrave dhe përgjegjësive”.

Kastrati ka shpjeguar se “regjistrimi do të organizohet, dhe realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës përmes organeve përkatëse, të përcaktuara me dispozitata ligjore”.

 

Ilustrim

Ndërsa mbledhja e informatave e “grumbullimit të të dhënave planfikohet të aplikohet metoda tradicionale e mbledhjes së të dhënave derë me derë, përmes përdorimit të pajisjeve teknologjike tabletëve”.

Ndërsa për rekrutimin e stafit i cili do të përfshihet në projektin e regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, “do të përzgjidhet nga komunat dhe ASK-ja”.

Konkursi për përzgjedhjen e tyre ende nuk është hapur, por nga ASK, bëjnë me dije se qytetarët do të njoftohen me kohë, kur kjo të ndodhë.

“Opinioni publik në vend do të marrë të gjitha informatat e duhura rreth konkurseve që do të hapen dhe procedurave që duhet ndjekur për tu bërë pjesë e projektit nacional të Regjistrimit”, ka treguar më tej Kastrati.

Ilustrim

Ky staf sigurisht që do të trajnohet paraprakisht.

“Trajnimi do të bëhet nga ASK-ja për komisionet komunale dhe mbikëqyrësit, ndërsa për regjistruesit ata do të trajnohen nga mbikëqyrësit në mbështetje të ASK-së dhe anëtarëve të komisioneve komunale”.

Regjistrimi i Popullsisë siguron të dhëna për numrin dhe shtrirjen gjeografike të popullsisë në tërë vendin, strukturën demografike dhe karakteristikat e tjera socio-ekonomike të popullsisë, numrin dhe shtrirjen e vendbanimeve, objekteve të banimit, ndërtesave që shfrytëzohen për qëllime banimi ose destinim tjetër, vlerësimin e kushteve të jetesës së popullsisë, numrin e ekonomive familjare dhe karakteristikat tjera për individët.

Të dhënat e grumbulluara nga Regjistrimi do të kategorizohen në “të dhënat për individ: adresa-vendbanimi rezident, të dhënat demografike, të dhënat mbi migrimin, niveli i shkollimit, punësimi, aftësitë e kufizuara, dhe çështje të tjera sociale dhe ekonomike”.

“Të dhënat për ekonomitë familjare: përbërja dhe raporti i anëtarëve në ekonominë familjare, statusi i banimit dhe modalitetet e tjera, sipas udhëzimeve të tjera metodologjike”.

Ilustrim

“Të dhënat për banesë dhe ndërtesë: karakteristikat kryesore të banesës, ose ndërtesës, përfshirë statusin e banesës, pronësinë, numrin e dhomave dhe pajisjet e tjera të infrastrukturës për banesë/ndërtesë”.

“Gjatë takimeve me palët dhe fushatës sensibilizuese, opinion publik në Kosovë do të njoftohet për tere procesin përfshi përmbajtjen specifike të pyetësorëve të Regjistrimit”, ka treguar Kastrati për Albanian Post.

Drejtori i ASK-së, ka specifikuar se “regjistrimi është planifikuar të përfshije të gjithë popullsinë e vendit”, duke përfshirë edhe katër komunat me shumicë serbe, të cilat nuk i ishin përgjigjur ftesës së institucioneve shqiptare për regjistrim në vitin 2011.

Ky proces është shumë i rëndësishëm për vendin. Regjistrimi i Popullsisë si një numërim zyrtar në territorin e vendit, është mbledhje e informacionit mbi karakteristikat e zgjedhura demografike dhe socio-ekonomike koherente dhe të sakta të popullsisë.

Regjistrimi do të japë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të kushteve sociale dhe të jetesës së qytetarëve të vendit, më shumë karakteristika demografike.

Rezultatet nga regjistrimi janë mjete thelbësore për qëllime efektive të politikave, planifikimit dhe vendimmarrjes më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Të mërkurën e 17 nëntorit, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash ka miratuar raportin financiar të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i cili u tha se ka pasur rritje të shpenzimeve, krahasuar me vitin paraprak, për shkak të përgatitjeve për regjistrimin e popullsisë.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2011. Nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë. Por, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë ( Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore