Lajme

Osmani takon Blinken-in në Shkup: Mbetemi të bashkuar në mbështetjen tonë për Ukrainën


Pamje gjatë takimit mes Bujar Osmanit dhe Antony Blinken

Ngjarjet aktuale ndërkombëtare, me fokus të veçantë në situatën në Ukrainë, kanë qenë temat kryesore të diskutimit në mes të Antony Blinken dhe Bujar Osmanit, të cilët njëzëri dënuan fuqishëm agresionin ushtarak rus dhe shprehën mbështetje të fuqishme për popullin ukrainas.

Takimi në mes të Ministrit të Punëve të Maqedonisë së Veriut, njëherit kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit është zhvilluar në Shkup, pasi që ky i fundit ka udhëtuar në kryeqytetin maqedonas për të marrë pjesë në takimin ministror të OSBE-së që do të zhvillohet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor në Shkup.

“Si partnerë strategjikë dhe aleatë të NATO-s, qëndrojmë të bashkuar në mbështetjen për Ukrainën dhe mbrojtjen e vlerave dhe parimeve demokratike. Dënojmë fuqishëm agresionin ushtarak rus, i cili paraqet sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në botë”, ka thënë Osmani.

Gjatë takimit, është përmendur edhe kryesimi i OSBE-së nga Maqedonia e Veriut, me ç’rast janë theksuar angazhimet e shtetit maqedonas për tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohet organizata, si dhe mbështetja e përgjithshme e SHBA-së në këtë proces.

Blinken dhe Osmani kanë përshëndetur vendimin që i hap rrugë Maltës për të qenë kryesuesja e ardhshme e OSBE-së në vitin 2024, “duke kapërcyer kështu krizën me të cilën përballej organizata dhe paraqet sukses të rëndësishëm për kryesimin tonë dhe të ardhmen e OSBE-së”.

“Ju keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, keni arritur të zgjeroni misionin e OSBE-së, pavarësisht pengesave të mëdha. Më vjen mirë që Malta do të marrë stafetën. Ne kemi një partneritet strategjik që është vërtet i fokusuar në punën që bëjmë së bashku si aleatë dhe partnerë, por edhe në punën që bëjmë bashkërisht në nivel dypalësh”, tha Blinken, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Sekretari Amerikan i Shtetit ka mbërritur në Shkup këtë të mërkure për të marrë pjesë në takimin ministror të OSBE-së që do të zhvillohet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor në Shkup.

Blinken, fillimisht është takuar me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore